Shpend Ahmeti s’i takon prishtinasit për t’i dëgjuar problemet e kryeqytetit

Kanë ardhur për t’i paraqitur para kryetarit Shpend Ahmeti të gjitha problemet me të cilat përballen.

Por, disa banorë nga qyteti dhe fshatrat e Prishtinës, nuk patën mundësi që hallet e tyre t’ia tregojnë drejtpërdrejt kryetarit Ahmeti, pasi ai nuk shkoi për t’i dëgjuar.

Edhe pse thirrja për debat publik në të cilin do të merrte pjesë edhe kryetari Shpend Ahmeti, ishte shpërndarë nëpër rrjete sociale, ai mungoi.

Ahmeti, në kohën e mbajtjes së diskutimit publik me qytetarë, po merrte pjesë në takimin për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo i ka nervozuar qytetarët, të cilët diskutimin e mbajtën vetëm me drejtorë komunalë dhe disa zyrtarë të tjerë.

“Kurrë s’kam qenë më i zhgënjyer. Mospjesëmarrja e kryetarit flet shumë, ai është i zgjedhur prej nesh. Po ndihem i nënçmuar që ka lagje që po kërkojnë zyrë, ne s’kemi as bashkësi lokale. Krejt kjo po ndikon në mosinkurajim të qytetarëve për qytetari aktive”.

Një banor i fshatit Shkabaj është ankuar për numrin e madh të qenve endacakë të cilët, sipas tij, po ua rrezikojnë jetën.

“Qentë endacakë po donë me na hangër neve, po ata duhet m’i pru’ këtu, për me ju hangër juve”.

Latif Zylfiu, banor i pjesës së vjetër të qytetit, tha se mosveprimi i komunës për t’i ndaluar ndërtimet pa leje ka hasmuar fqinjët.

“Fqinjët e mi kanë ndërtuar një objekt, aty jetojnë rreh 15 vetë, nuk kemi informacione saktë sepse mosreagimi i komunës na ka futur në hasmëri. Që nga viti 2014, nuk ekziston dielli, sepse është ky objekt pa leje. Edhe ditën më duhet të qëndroj me dritë artificiale”.

Banorët e kryeqytetit kanë deklaruar se po detyrohen të paguajnë shtrenjtë tatimin në pronë, ndonëse nuk kanë as infrastrukturën bazë.

“E kemi tatimin afër 300 euro në vit. I kisha pagu’ këto 300 euro, po të kishim pasë infrastrukturë bazike. Kom pasë gropë ku vjen aroma fekale…”.

Në mungesë të Ahmetit, qytetarëve u është përgjigjur nënkryetari Muhedin Nushi dhe drejtorët komunalë.

Ahmeti, megjithatë, ka marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku është kritikuar nga opozita. Vetë ai, në një përgjigje për KTV-në, ka thënë se në janar do të organizojë tubime me të gjitha lagjet.