Shpend Ahmeti: Kisha pasur qejf mos me u mbajtë mend

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është përgjigjur në mënyrë të pazakontë për një politikan kur është pyetur se si dëshiron të mbahet mend si kryetar i kryeqytetit për tetë vjet qeverisje.

Ahmeti, në rrëfimin për Pressing ka thënë se nuk dëshiron të mbahet mend.

S’ka nevojë të mbahem mend, ka thënë ai.

“Ndërsa, këtë pyetjen s’e kam qejf hiç për çka ki qejf me u mbajtë mend. Kisha pas qejf mos me u mbajtë mend, s’ka nevoje me u mbajtë mend”, ka thënë ai.

Kryetari aktual i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se Prishtina  është shumë më mirë se tetë vite më parë, kur ai e fitoi mandatin e parë në zgjedhjet komunale.

“Megjithatë, unë mendoj që Prishtina sot është tepër më mirë se sa që ka qenë në fillim të këtyre 8 viteve. E di që është bërë modë pak që secili që mundet nëpër televizione na mëshon kapak sepse e dijnë që ne nuk reagojmë. Nuk jam tip që i reagoj gjithsecilit çka flet”, ka theksuar Ahmeti.

Karriera e Shpend Ahmetit nisi me partinë Fryma e Re.  Më vonë u bë pjesë Lëvizjes Vetëvendosje me të cilën fitoi dy mandatet si kryetar i Prishtinës. Më pas ai kaloi në  Partinë Socialdemokrate, por tani Ahmeti nuk është pjesë e asnjë partie dhe nuk ka shprehur ambicie që të garojë edhe një herë për kryeqytetin.