Shpend Ahmeti kërkon zbardhjen e vdekjes së Deharit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka bërë përgjegjës shtetin e Kosovës për vdekjen e Astrit Deharit.

“Sic e kemi thënë publikisht në çdo mundësi pas vdekjes së Astritit, pa marr parasysh rrethanave, Astriti ka hyrë në burg në pranga, i gjallë, dhe gjatë mbajtjes në burg as që është ngritur aktakuza e as që është intervistuar zyrtarisht. Përgjegjësi për vdekjen e tij sa ka qenë në mbajtje nga shteti nuk ka marr askush as në udhëheqësinë e burgut e lere më në udhëheqësinë shtetërore”, ka thënë Ahmeti, në një reagim në FB, tri katër ditë pasi është publikuar ekspertiza e ardhur nga Zvicra për rastin Dehari.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

Sidoqoftë, Ahmeti thotë se se tani, po vërtetohet që dikush ka pas interes që e vërteta të mos zbulohet e tëra.

“E vërteta nuk mund të fshehet pafundësisht. Hetimin e plotë, të pavarur, dhe me ekspertë të pavarur ja kemi borxh jo vetëm Astritit, gruas e vajzes së tij e familjes Dehari, por ja kemi borxh secilit qytetar të Republikes së Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, nuk mundet që një qytetar i Republikës të pajtohet se mund të burgoset pa asnjë dëshmi, mund të mbahet në burg pa intervistim dhe mund të humb jetën në rrethana të tmerrshme pa sqaruar dhe pa marr përgjegjësi askush.

“Nuk mundet! Nuk bën të pranohet dhe nuk duhet të pranohet. Dhe nuk do ta pranojmë, derisa ta dijmë të vërteten. Por sic e ceka në fillim. Pa marr parasyh rrethanave, Astriti ka vdekur derisa do të duhej të ishte në “përkujdesje” të shtetit. Kjo në vete është përgjegjësi e rëndë ligjore e politike. Krejt në fund, të gjithë që e kanë njohur Astritin, e dijnë së çfarë qytetari shembullor kemi humbur. Astriti përvec që ka qenë aktivist i pashoq i Lëvizjes Vetëvendosje, na ka ndihmuar me punën e tij në Komunën e Prishtinës në sektorin e shëndetësisë si një prej studentëve më të mirë të mjekësisë. Vitet shkojnë por padrejtësitë nuk zbuten e duke mos e ditur të vërteten, as plaget nuk shërohen”, ka shtuar ai.

loading…