Sot presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ngecja aktuale e dialogut mund të tejkalohet vetëm kur Kosova ta heqë taksën për mallrat e Serbisë dhe tash ka shtuar, edhe atë të ndërrimit të statutit të Trepçës.
Për këtë, ka reaguar kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, që njëherësh është bashkëkryesues me Fatmir Limajn në Ekipin për dialog me Serbinë.
“Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”! Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë: Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale. Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Sipas Ahmetit, Kosova është e gatshme të dialogojë.
“Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit. Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë”, ka përfunduar Ahmeti.







