Shpend Ahmeti anuloi tenderin për qumështin pas kallëzimit penal

Lëvizja Vetëvendosje i është kthyer edhe njëherë tenderit të qumështit në Komunë të Prishtinës, ani pse kjo e fundit ka njoftuar se e ka anuluar procesin e tenderimit.

“Ky anulim sigurisht vjen pas gjithë vëmendjes publike që fitoi kjo çështje dhe pas kallëzimit penal që kemi dorëzuar në prokurori”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Javë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte deponuar kallëzim penal për duke pretenduar se ka keqpërdorim të parasë publike, për shkak të çmimit të lartë të tenderit në krahasim me vitet e kaluara.

Për tenderin për qumështin për fëmijët e klasës së parë deri të pestën, ishin paraparë të shpenzohen 530 mijë euro.

Mirëpo, për Vetëvendosjen kjo është e pamjaftueshme. Ata përmes një komunikate për media kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të veprojë, që sipas tyre të mos lejoj keqpërdorimin e parasë publike.