Shpallet “Viti i Mërgatës” në Junik, kryetari Shehu organizon pritjen e mërgimtarëve

Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu ka njoftuar për përgatitjet që kjo komunë është duke i bërë për pritjen e mërgimtarëve tonë.

Përmes një postimi në Facebook, Shehu i ka listuar një sërë lehtësirash që Juniku do t’i bëjë për diasporën gjatë këtij viti.

Postimi i plotë:

VITI I MËRGATËS NË JUNIK

E dashur mërgatë junikase,

Komuna e Junikut ka përfundur të gjitha përgatitjet për pritjen e qytetarëve të Junikut që jetojnë në diasporë dhe që do të vijnë për pushime në shtëpinë e tyre në Junik gjatë sezonit të verës.

Disa nga vendimet kryesore të Komunës së Junikut për nder të mërgatës junikase janë:

 ⁃ Parking pa pagesë për mërgatën e Junikut: Të gjitha parkingjet publike në Junik duke përfshirë edhe parkingun e Komunës së Junikut, parkingun e tregut të gjelbër (përveç ditëve të Premte) si dhe parkingu i bibliotekës komunale janë në dispozicion të mërgimtarëve në Junik nga data 11 korrik deri me 31 gusht 2022.

 ⁃ Shërbime komunale të shpejta dhe me procedurë të lehtësuar për mërgatën e Junikut: Orari i administratës në Komunën e Junikut do të punojë edhe gjatë kohës së pauzës dhe sipas nevojës edhe pas orarit zyrtar, për të orfuar dokumentet e gjendjes civile, shërbimet kadastrale dhe shërbime tjera administrative për mërgatën e Junikut gjatë sezonit veror.

 ⁃ Takim me kryetarin e komunës, çdo ditë  të punës me mërgatën e Junikut: Të gjithë mërgimtarët në Junik mund të takohen në çdo kohë me kryetarin e Komunës së Junikut për të diskutuar nevojat e tyre, propozimet e tyre për zhvillimin e Junikut, kërkesat e tyre specifike, mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit në Junik si dhe tema të tjera sipas nevojës dhe kërkesave të tyre. Komuna e Junikut dhe kryetari i saj do të dëgjojë me kujdes mërgatën junikase dhe do të reflektoj aktivisht lidhur me nevojat dhe propozimet e tyre.

 ⁃ Koncert dhe koktel për mërgatën me 2 gusht 2022: Komuna e Junikut me datë 2 gusht 2022 në ora 18:00 do të organizoj koktel në parkun e Komunës së Junikut për të gjithë mërgimtarët në Junik. Po ashtu me datë 2 gusht 2022 në ora 19:00 Komuna e Junikut ka organizuar edhe koncertin për mërgatën në Junik ku të pranishëm do të jenë artist të ndryshëm muzikor.

Mërgata e Junikut ka dhënë aq shumë për Junikun. Kontributi i tyre vazhdon edhe sot të përbëjë ndryshimin pozitiv për Junikun tonë. Gjysma e Junikut jeton në diasporë prandaj mund të thuhet bukfalisht se mërgata jonë është gjysma e Junikut. Ardhja juaj gjatë sezonit të pushimeve në Junik, nënkupton gjallëri për Junikun. Prandaj këto aktivitete të Komunës së Junikut në nderim të pritjes tuaj është më e pakta që mund të bëj Juniku për mërgatën e saj.

Mirësevini në shtëpinë tuaj në Junik dhe faleminderit për kontributin tuaj.

R.Sh