Gjykata Themelore

Shpallen fajtorë dy të akuzuarit për legalizim të përmbajtjes së rreme dhe vepra të tjera penale

Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka shpallur fajtorë dhe e ka dënuar me një vit burgim të akuzuarin Aldo Manjishta për legalizim i përmbajtjes së rreme, dhe 8 muaj burgim për vjedhja e identitetit, ndërsa të akuzuarin Shefki Hyseni me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për deklarim të rremë.

Aktgjykimi në fjalë, u shpall të enjten nga gjykatësi i rastit Xhemajl Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Aldo Manjishta ju shqiptua dënim unik në kohëzgjatje prej 16 muaj, dënim ky i cili do të ekzekutohet në afatin prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit në dënimin unik prej 16 muaj burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në shpalljen e këtij aktgjykimi u urdhërua edhe konfiskimi i dy letërnjoftimeve lidhur me Aldo, njëri në emër të Jasmin Klapija, tjetri në emër të Volger Foniqit.

Ndërsa, të akuzuarit Shefki Hyseni ju shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj.

Po ashtu, të akuzuarit Hyseni ju shqiptua edhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Fillimisht, të akuzuarit Hyseni iu tërheqë vërejtja nga gjykatësi Xhemajl Isufi, pasi Hyseni nuk u ngritë në këmbë kur në së seancën e shpalljes së aktgjykimit hyri gjykatësi Isufi, duke i thënë se nuk e meritonte që të ngitej në këmbë.

“Nuk e di a e meritoni gjyqtar vetëm po ngritna për hatër të gjykatës se për juve nuk ishe ngritë”, tha i akuzuari Hyseni.

Kujtojmë se, i akuzuari Hyseni gjatë tërë procesit të zhvillimit të çështjes penale e ka penguar punën e gjykatës.

Ndryshe, u akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Besnik Deliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura penale pas pranimit të fajësisë për deklarim të rremë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shtator 2023 nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, i pandehuri Aldo Majnishta më 31 korrik 2023, në Agjencinë për Regjistrimin Civil, Drejtoria për Pajisje me Dokumente, Mitrovicë, me dashje ka vënë në lajthim zyrtaren për regjistrimin civil, pasi në momentin e aplikimit për lëshimin e letërnjoftimit ka paraqitur ekstraktin, të lëshuar në Bishtazhin, Gjakovë, në emër të Jasmin Klapija dhe letërnjoftimin të shtetit të Belgjikës me emrin Jasmin Klapija, me qëllim që të pajisjet me letërnjoftim në emër të personit tjetër.

Aktakuza thotë se më 31 korrik 2023, në Agjencinë për Regjistrimin Civil, Drejtoria për Pajisje me Dokumente, Mitrovicë, i pandehuri me dashje shfrytëzon pa autorizim mjetin e identifikimit të personit tjetër dhe atë ekstraktin, të lëshuar në Bishtazhin, Gjakovë, në emër të Jasmin Klapija.

Me këto veprime, Manjishta akuzohej se ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, par. 1 të Kodit Penal dhe veprën penale “Vjedhja e identitet dhe pajisja e qasjes” nga neni 336, par. 1 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shefki Hyseni më 31 korrik 2023, në Agjencinë për Regjistrimin Civil – Drejtoria për Pajisje me Dokumente, në Mitrovicë, me dashje para zyrtares përgjegjëse, në cilësinë e dëshmitarit në procedurën administrative, jep deklaratë të rreme, në atë mënyrë që për të pandehurin Aldo Majnishta ka dëshmuar nën përgjegjësi morale dhe personale se është personalisht ai dhe se identiteti i tij dhe të dhënat personale të tij janë të vërteta, dhe atë Jasmin Klapija, edhe pse e ka ditur se një fakt i tillë nuk është i vërtetë.

Sipas aktit akuzues, me këtë Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Deklarimet e rreme” nga neni 384, par. 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, për të akuzuarin Besnik Deliu thuhet se më 31 korrik 2023, në Agjencinë për Regjistrimin Civil, Drejtoria për Pajisje me Dokumente, në Mitrovicë, me dashje para zyrtares përgjegjëse, në cilësinë e dëshmitarit në procedurën administrative, jep deklaratë të rreme, pasi për të pandehurin Aldo Majnishta ka deshmuar nën përgjegjësi morale dhe personale se është personalisht ai dhe se identiteti i tij dhe të dhënat personale të tij janë të vërteta, dhe atë Jasmin Klapija, edhe pse e ka ditur se një fakt i tillë nuk është i vërtetë.

Sipas akuzës, me këtë ngarkohet se ka kryer veprën penale “Deklarimet e rreme” nga neni 384, par. 1 të Kodit Penal.

Kujtojmë se në aktakuzë, thuhet se i akuzuari Majnishta është në kërkim ndërkombëtar.