GLPS -OJQ Gjethi

​Shoqëria civile ushtron padi për Konflikt Administrativ për Hidrocentralin Soponica

Organizatat paditëse GLPS dhe OJQ Gjethi, si dhe administratorët e fshatrave Soponicë dhe Doganaj kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Vendimin për Pëlqim Mjedisor për Hidrocentralin Soponica, në Kaçanik, të lëshuar nga nga Ministria Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Njëkohësisht, paditësit kanë paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Në njoftimin e GLPS-së thuhet se ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, e që kanë të bëjnë me cenimin e të drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm.

Qendra i ngrit në gjykatë rastet e shkeljeve të institucioneve publike, të cilat dëmtojnë shumë qytetarë dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë. I tillë është edhe rasti i ndërtimit të Hidrocentralit Soponica në Kaçanik.

“HC Soponica në lumin Lepenc në Kaçanik, është një nga hidrocentralet që janë planifikuar të ndërtohen në Komunën e Kaçanikut. Procedura e lëshimit të këtij vendimi ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja”, thuhet në reagimin e Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL).

Paditësit konsiderojnë se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Pëlqimit Mjedisor, ka pasur shkelje të shumta ligjore. Pëlqimit mjedisor duhet t’i paraprijë vlerësimi i detajuar mjedisor, ndërsa në rastin konkret ky vlerësim është bërë me mangësi të shumta duke mos respektuar elementet e përcaktuara ligjore.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se gjatë procesit të lëshimit të Vendimit të Kontestuar, qytetarëve të Kaçanikut iu është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë duke iu mohuar të drejtën për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku ata jetojnë.

“Ka pasur parregullsi në njoftimin për debat publik lidhur me projektin e hidrocentralit, i cili është bërë në kundërshtim me aktin nënligjor që përcakton rregullat për pjesëmarrje të publikut në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Paditësit synojnë të anulojnë Vendimin për pëlqim mjedisor të shtyjnë ekzekutimin e këtij vendimi derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit”, thuhet në reagim.