Shoqëria civile e quan retorikë e hipokrizi deklaratën e Veselit për çlirim nga korrupsioni

“E kemi përfunduar luftën për pavarësi, por nuk e kemi përfunduar luftën për shtetin e së drejtës, për shtetin si garanci e zhvillimit. Prandaj, sot jam para jush se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ashtu do të luftoj së bashku me gjithë ju që ta çlirojmë Kosovën nga korrupsioni, nga nepotizmi dhe nga abuzimet”, ka thënë Veseli në konventën festive të PDK-së, një ditë më parë.

Por këtë zotim të kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për ta luftuar korrupsionin, pjesëtarë të shoqërisë civile e konsiderojnë hipokrizi.

Sipas tyre, kreu i PDK-së duhet të largojë nga partia bashkëpartiakët e tij që kanë probleme me ligjin, e jo t’i akomodojë në parti.

Thonë se PDK-ja duhet të marrë përgjegjësi, ngase aferat më të mëdha korruptive kanë ndodhur ndër vite, duke qenë kjo parti në pushtet.

Ndërsa, Arton Demhasaj nga Çohu, thotë se korrupsioni nuk mund të luftohet përmes deklaratave, por duke mos ushtruar ndikime politike në sistemin e drejtësisë.

Në Këshillin Drejtues të PDK-së janë zgjedhur sërish figura të kësaj partie që kanë probleme me ligjin, pavarësisht që Veseli mëton se në Dekadën e Re nuk do të ketë vend për personat që kanë telashe me ligjin.

Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, Adem Grabovci, Nijazi Kryeziu e Zenun Pajaziti, janë të akuzuar për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, në aferën e njohur si “Pronto”.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, po ashtu është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të kësaj partie.

Lushtaku është i akuzuar për arratisje nga hapësirat e QKUK-së, në kohën sa po gjykohej për krime lufte.