MPJ

Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm thotë se këta persona jashtëligjshëm u bënë konsuj të Kosovës (Emrat/DOKUMENT)

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës i ka dërguar letër ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli lidhur me disa emërime të stafit diplomatik/konsullur, që sipas tyre janë emërime të paligjshme.

Në letër, të cilën e ka siguruar Ballkani.info thuhet se kjo Shoqata është e shqetësuar me faktin e emërimeve të fundit të stafit diplomatik/konsullor në misionet e Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, këto emërime janë bërë jashtë procedurave të parapara ligjore, “madje në shkelje drastike të legjislacionit në fuqi”.

“Është sjellë tek vëmendja e Shoqatës Sindikale se janë emëruar disa konsuj pa asnjë përfillje të procedurave dhe kritereve ligjore. Shoqata Sindikale ka informacione se janë nxjerr vendime tjera për emërimin e konsujve nëpër misione konsullore, siç janë: znja Xheraldina Rexhepi – Kosnulle në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, Kadri Bala – Podgoricë/Mali i Zi, Lutfi Billali- Frankfurt/Gjermani, Fortesa Imer – Uashington/SHBA. Është e ditur që këta persona të emëruar konsuj nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë pjesë e Shërbimit Civil në kuadër të MJP-së dhe as pjesë e stafit diplomatik/konsullor të Republikës së Kosovës. Pra nuk i janë nënshtruar asnjë konkursi sa i përket shërbimit civil dhe as shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në letër.

Tutje kjo Shoqatë kërkon nga ministri Pacolli që të anulojë vendimet e tilla. /Ballkani.info/