Shoferi i autobusit që përdori telefonin gjatë vozitjes shan e kërcënon gazetaren, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kërcënimit të gazetares Arjana Berisha nga shoferi i autobusit “Dia Passio Tour”, pasi që u publikua një video ku ai shihej teksa përdorte telefonin derisa drejtonte autobusin.

Siç thuhet në reagimin e AGK-së, gazetarja e Kallxo ofendohet vazhdimisht derisa ajo provon që të marr një deklaratë nga shoferi për veprimin e tij,

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për kërcënimin ndaj gazetares, Arjana Berisha të kallxo.com. Berisha është kërcënuar nga shoferi i autobusit në kompaninë “Di Passio Tours” – menjëherë pasi të njëjtit iu publikua video duke përdorur telefonin gjatë vozitjes.  Në një audio-incizim të publikuar nga mediumi dëgjohet se shoferi vazhdimisht e shanë gazetaren, e cila insiston t’i marrë një qëndrim të tij në lidhje me situatën. Pavarësisht kërkesës së gazetares që të ndalojë të sharat, ai vazhdon dhe e kërcënon duke kërkuar që video mos të publikohet”, thuhet në reagim.

“Qaj person, kush ta qet qat videon se tre familjarë i kam (nuk kuptohet) ia q* r**** në p*** (nuk kuptohet) qaj kush e qet ia kom q* r****, e le ta qet, kaloni mirë…”, dëgjohet duke thënë shoferi në audiocincizimin e ofruar nga mediumi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ftuar organet kompetente që të marrin masat e nevojshme në lidhje me rastin.