Shkrimet ogurzeza të mediave serbe për ditën e zgjedhjeve, reagon Policia e Kosovës

Mediet serbe kanë paralajmëruar “vjeshtë të përgjakshme” në veri të Kosovës, por edhe “masakër” në ditën e zgjedhjeve. Ndaj këtyre shkrimeve ka reaguar edhe Policia e Kosovës, duke i quajtur këto lajme tendencioze dhe që kanë për qëllim destabilizimin e asaj pjese të vendit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia e Kosovës ka thënë se shkrimet e publikuara nga mediat serbe janë tendencioze dhe aspak të drejta.

“Shkrimet e tilla nga këto mediume se kinse për këtë rast të apostrofuar, në Veri të Mitrovicës do të dërgohet Njësia Speciale Operative e PK-së, janë tendencioze dhe aspak të drejta, kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve, duke dashur që përmes shkrimeve të tilla të orientojnë mesazhet e tyre politike, të ndjellin frikë tek qytetarët si dhe të tentojnë destabilizimin e asaj pjese të vendit”, thuhet në komunikatë.

Policia ka njoftuar se sa i përket zgjedhjeve, ata kanë bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale në nivel vendi, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, plan ky i cili parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

“Andaj, Policia e Kosovës reagon fuqishëm ndaj këtij shkrimi të pavërtetë dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve të tilla, por t’iu referohen informacioneve zyrtare, si dhe njëherit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të kujdeset për garantimin e sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në tërë vendin”, thuhet në komunikatën e Policisë drejtuar mediave.

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj operacionale i bazon në procedurat e parapara ligjore, duke zbatuar me përpikëri dhe profesionalizëm të lartë detyrat dhe autorizimet policore bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme në funksion të luftimit të dukurive negative dhe krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallime.

loading…