Shkon në mbi 7400 numri i viktimave të koronavirusit në ShBA

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 7 mijë e 400 persona.

Qyteti i Njo Jorkut është më i prekuri me 1867 viktima, ndërsa shifra e të infektuarve në mbarë vendin ka shkuar në gati 278 mijë.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë për numrin e të prekurve nga virusi i ri, por shkalla e vdekshmërisë atje është relativisht e ulët.

Italia mbetet vendi me më së shumti viktima në botë me 14681 të vdekur, ndërsa pas saj vjen Spanja me 11198 viktima.

Mbi 700 mijë vende pune janë shuar muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara për shkak të mbylljes së bizneseve, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit nga 3.5 për qind në 4.4 për qind. Kjo ishte rritja më e madhe e papunësisë për një muaj që nga viti 1975.

Megjithatë, këto shifra duket se nuk e paraqesin gjendjen e saktë, sepse Byroja e Statistikave të Punës i përfshiu vetëm të dhënat e pjesës së parë të muajit mars, para se shumë shtetet të merrnin masa të rrepta të izolimit.