Shkon në mbi 5,000 numri i viktimave të koronavirusit në Iran

Ministria e Shëndetësisë në Iran ka njoftuar se 73 persona kanë vdekur nga koronavirusi gjatë 24 orëve të kaluara, duke e çuar në 5,031 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Kianush Jahanpour, tha se shifra e re është një ndër më të ulëtat në ditët e fundit, duke shtuar se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 80,868 njerëz.

Sipas një raporti parlamentar të publikuar më herët gjatë kësaj jave, numri i të vdekurve nga koronavirusi në Iran mund të jetë dyfish më i lartë se shifra e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa numri i të infektuarve 10 herë më i lartë se shifra zyrtare.

Irani është vendi më i prekur nga virusi i ri në Lindjen e Mesme dhe një ndër shtetet me më së shumti raste dhe viktima në botë.