Shkon në mbi 100.000 numri i vdekjeve në Britani si pasojë e COVID-19

Më shumë se 100.000 njerëz kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, që kur sëmundja u shfaq për herë të parë në vend, pothuajse një vit më parë. Ekspertët e shëndetit publik kanë thënë se kjo është një shenjë e “dështimit fenomenal të politikës dhe praktikës”, shkruan “The Guardian” të mërkurën.

Shifrat e qeverisë të publikuara të mërkurën, tregojnë për 1.564 viktima të reja si pasojë e COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 101.160.

Sipas kësaj, i bie se një në 660 vdekje, është e lidhur direkt apo indirekt me COVID-19 gjatë kohës së pandemisë.

Britania e Madhe aktualisht ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë në botë, si pasojë e COVID-19, me 151 vdekje për 100.000 njerëz. Është më keq se SHBA-ja, Spanja dhe Meksika që janë llogaritur vatra të pandemisë, e ku janë regjistruar, përkatësisht 116, 113 dhe 108 vdekje për 100.000 njerëz.

“Është një numër i tmerrshëm i vdekjeve që mund të parandaloheshin. Është shenjë e një dështimi fenomenal të politikës dhe praktikës përballë këtij virusi të ri dhe të rrezikshëm”, tha Gabriel Scally, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Bristolit.