Shkon në 60 numri i të shëruarve në Malishevë

Bazuar në rezultatet e testimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, edhe dy pacientë nga Komuna e Malishevës, janë shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve në 60 persona, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në ditët në vijim, pritet që edhe pacientët tjerë të shërohen, pasi janë në proces e sipër të shërimit dhe Malishevës çdo ditë e më tepër po i vijnë lajme të mira, sa i përket situatës me COVID-19. Shërimi i dy pacientëve nga Malisheva, është konfirmuar nga komunikimi zyrtar i Komunës së Malishevës, me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij lajmi, në emër të Shtabit Emergjent në Malishevë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i ka uruar dy të shëruarit, si dhe pacientëve në pritje për shërim, ju ka dëshiruar shërim të shpejtë.

Gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: Nga 76 të prekur, 60 janë shëruar, në shërim e sipër janë edhe 15 persona, ndërsa një person ka pësuar me fatalitet.