Shkollat mbyll dhe ministrja e dobët, ky ishte parashikimi i Albin Kurtit për arsimin

Shkollat nuk janë hapur ende. Greva në arsim e nisur tash e 22 ditë po vazhdon. Kurse, Arbërie Nagavcit që udhëheq me Ministrinë e Arsimit i janë dashur plot 10 vjet për t’i përfunduar studimet master me notën mesatare 6.46. Por, çfarë parashikonte për arsimin shefi i Nagavcit, kryeministri Albin Kurti, sapo ta merrte drejtimin e ekzekutivit të vendit? Demokracia.com sjell detaje nga premtimet e Kurtit për arsimin.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit kryeministër i vendit, gjatë tubimit ku shpalosi platformën e tij për kryetar të partisë, goditi aktivistët duke thënë se nuk po mësojnë sa duhet në shtëpi.

Kurti në fjalimin e tij pohoi se aktivistët po shkruajnë pak dhe nuk po mësojnë në shtëpi, duke kërkuar prej tyre që të aktivizohen më shumë në të shkruar, për të qenë më të aftë, shkruan Demokracia.com.

“Tash, ne e dimë se jo pak aktivistë tonë janë si nxënësit a studentët që dëgjojnë në klasë, por nuk mësojnë aq shumë në shtëpi dhe përgjithësisht shkruajnë pak. Shkrimi e mundëson thellimin, strukturimin dhe sistematizimin e të menduarit”, konstatonte Kurti.

Fjalë shumë e plane në letër, shefi i Qeverisë aktuale kishte shkruar edhe në planin qeverisës tek “Arsimi dhe Shkenca”.

Në “Programin e Qeverisë 2021/2025” janë dhënë shumë premtime për arsimin në Kosovë, duke thënë se do të ndërtohen shkolla, do të ndahen bursa, por edhe shumëçka tjetër.

Megjithatë, tash kur janë bërë gati dy vjet qeverisje, Plani për Arsimin nuk ka filluar të zbatohet askund.

“Arsimi është mundësi e madhe dhe burim shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës. Për shfrytëzimin e kësaj mundësie, ne planifikojmë 6 zona të domosdoshme të transformimit: edukimin parashkollor, tekstet e reja shkollore, shkollimin profesional, sistemin e bursave, arsimin e lartë pa pagesë dhe themelimin e fondit për hulumtime shkencore. Jetësimi i projektit për edukimin parashkollor në çdo komunë do të paraprihet nga një hap i rëndësishëm, që është ofrimi i kushteve preferenciale të pagesës ose heqja e pagesës për çerdhen e fëmijëve për kategori të caktuara të popullsisë”, thuhet në pjesën e parë tek programi qeverisës për arsimin.

Aty thuhet se me përmirësimin e cilësisë së teksteve të reja shkollore do të avancohet arsimi  parauniversitar dhe do të fillojë planifikimi për shkollat digjitale.

“Shkollat profesionale të mesme të larta do t’i ringjallim e modernizojmë me mjetet, kurrikulat, tekstet dhe materialet mësimore, profilet dhe veçanërisht me programin e praktikës. Shtrirjen dhe rritjen e tyre do ta planifikojmë sipas strategjisë zhvillimore në këmbim me kërkesat e ndërmarrësisë”, thuhet tutje.

Në këtë program nuk mungon as premtimi për shkollim falas e bursa për vajzat.

“Do të fuqizojmë e mbështesim me prioritet vajzat, nëpërmjet 1000 bursave studentore, me përparësi  ato që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore. Do të angazhohemi për arsimin e lartë publik pa pagesë dhe do t’i fuqizojmë universitetet drejt kërkimit shkencor”, premtonte LVV-ja.

Në program është ndarë edhe një kapitull i titulluar “Arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar”, në të cilin tregohet se do të ndryshojë rrënjësisht paradigma në arsimin fillor.

“Do të angazhohemi për arsim cilësor nëpërmjet stabilizimit të gjendjes në shkolla pas pandemisë COVID-19. Përveç kësaj, sigurimi i cilësisë në institucionet e arsimit parauniversitar, përmirësimi i mësimdhënies dhe mësimnxënies si dhe punës edukative-arsimore në institucione, janë pjesë e synimeve tona kryesore për këtë nivel të arsimit. Përmirësimi i qasjes dhe përfshirjes në edukimin në fëmijëri të hershme do të arrihet nëpërmjet ndërtimit të çerdheve të reja, ridestinimit të hapësirave shkollore për këtë nivel si dhe ofrimit të kushteve preferenciale të pagesës ose lirimit nga pagesa për familjet në nevojë. Do të ndryshojmë rrënjësisht paradigmën në arsimin fillor, duke e shqyrtuar mundësinë e zëvendësimit të notimit diferencial për klasat 1 deri 4 dhe zëvendësimit me vlerësimin formativ. Në arsimin parauniversitar logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik do të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet”, thuhet më tej, përcjell Demokracia.com.

Janë dhënë edhe premtime për shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Ndërsa, mësimdhënësve u kishte premtuar edhe banim me kosto të përballueshme.

“Do të ofrojmë në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Parakusht për rritjen e cilësisë në arsim është edhe mbështetja e mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Do të krijojmë bibliotekat e mësimdhënësve duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës. Do të ofrojmë edhe banimin për mësimdhënësit, me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të vlerësimit dhe shpërblimit të performancës. Do të rrisim besueshmërinë për rezultatet e testeve kombëtare dhe do të hartojmë politika arsimore bazuar në të dhëna. Po ashtu, do të punojmë për gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, nëpërmjet ofrimit të mundësive të barabarta, krijimit të mjediseve të sigurta dhe miqësore për fëmijët në shkolla. Do të bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe institucionet vartëse të saj. Po ashtu, do të angazhohemi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shfrytëzimit efektiv të teknologjive digjitale në procesin mësimor”, thuhet në planin e Qeverisë Kurti.

Në këtë plan janë dhënë edhe premtime për harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut të punës. Në këtë pikë thuhet se shkollat profesionale do të pajisen me punëtori për realizimin e punës praktike.

“Do të angazhohemi për harmonizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës, nëpërmjet ndërlidhjes së kurrikulave me tregun e punës. Për këtë qëllim, do t’i avancojmë profilet e shkollave të mesme profesionale me profesione, për të cilat ka kërkesë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Shkollat profesionale do të pajisen me punëtori për realizimin e punës praktike. Për të arritur këtë, do të funksionalizojmë dhe rrisim kapacitetet e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, duke vazhduar me finalizimin e kurrikulës bërthamë dhe rishikimin e kurrikulave të AAP, zhvillimin e programeve të nivelit KKK/EQF 5 dhe standardeve të profesionit, si dhe do të zhvillojmë një program njëvjeçar master për mësimdhënësit e AAP. Do të angazhohemi edhe për krijimin e kushteve për zhvillimin e punës praktike dhe praktikës profesionale (praktika në vendin e punës), si dhe përmirësimin e orientimit dhe këshillimit në karrierë me anë të zhvillimit të një modeli të orientimit dhe këshillimit në karrierë në AAP dhe kryerjen e studimeve gjurmuese”.

Kurse, tek kapitulli “Menaxhim efektiv i sistemit të arsimit në të gjitha nivelet”, thuhet se “do të angazhohemi për menaxhim efektiv të arsimit nëpërmjet riorganizimit të ministrisë dhe rishikimit të roleve të agjencive vartëse të saj, avancimit të politikave dhe kornizën ligjore në fushën e arsimit, ndërtimit të një sistemi efektiv për menaxhimin e shkollës, nëpërmjet fuqizimit të kapacitetet menaxheriale të shkollave, rishikimit të metodologjisë dhe formulës se financimit të arsimit parauniversitar dhe vendimmarrjes në arsim që bazohet në të dhëna”, thuhet më tej në programin qeverisës të LVV-së.

Po ashtu, aty janë dhënë edhe disa parashikime për arsimin e lartë me cilësi dhe integritetit, në harmoni me standardet ndërkombëtare.

“Do të angazhohemi për cilësi dhe integritet në arsimin e lartë, nëpërmjet zbatimit të procesit të akreditimit në pajtim me standardet ndërkombëtare të cilësisë, që do të mundësojë rikthimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA dhe EQAR. Po ashtu, do të ruajmë pavarësinë profesionale dhe funksionale të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe do të ofrojmë mbështetjen për kërkesat e tyre për burime njerëzore e buxhetore. Ndër të tjera, do të angazhohemi për institucionalizimin e kontrollit anti[1]plagjiaturë, rritjen e transparencës në arsimin e lartë, përmirësimin e kushteve për studentët, ndërlidhjen e programeve në arsimin e lartë me tregun e punës dhe organizimin e punës praktike për studentë në institucionet publike dhe private. Do të lehtësojmë procedurat e angazhimit vullnetar të studentëve dhe do të njohim këtë angazhim si përvojë të punës. Ne jemi për arsim publik falas. Në institucionet publike do të hiqen tarifat për pagesën e semestrit. Do të punojmë në sigurimin e qasjes në  literaturën bashkëkohore, si dhe në sigurimin e bursave për studentë brenda dhe jashtë vendit”.

Në fund, në programin e qeverisës është folur edhe për përmirësimin e mjedisit për kërkime dhe inovacion.

“Përmirësimin e mjedisit për kërkime shkencore do ta arrijmë nëpërmjet sigurimit të financimit për veprimtarinë kërkimore-shkencore në pajtimin me ligjin në fuqi, si dhe integrimin e Kosovës në hapësirën kërkimore evropiane duke fituar statusin e asociuar në Horizon Europe. Do të themelojmë Fondin e Hulumtimeve që do t’iu dedikohet kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë, ku këto hulumtime, të cilat do përdoren si evidencë për politikëbërje. Do të themelojmë Këshillin për Inovacion dhe do të aplikojmë për anëtarësim në European Innovation Scoreboard. Do të prodhojmë statistikat në pajtim me standardet ndërkombëtare për këtë fushë dhe do të ndërlidhim punën hulumtuese në universitete me industrinë, përmes qasjes së specializimeve të mençura. Do të hartojmë Strategjinë për Specializim të Mençur, që do të jetë një nga masat kryesore, si dhe do të funksionalizojmë Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit në Prizren, nëpërmjet të cilave do të sigurohemi se talenti, dija dhe puna e rinisë do të optimalizohen. Këto do t’i arrijmë duke i mbështetur bizneset me qëllim të stimulimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit”, thuhet aty.