“Shko çoje në privat, aty ku u kanë”, kosovari tregon se si nuk ia pranuan familjarin në gjendje të rëndë në QKUK

Bashkim Gashi ka treguar një nga problemet me të cilat është ballafaquar, pasi ka dërguar familjarin e tij me inicialet S.O, që të shtrihet në Klinikën e Ortopedisë në QKUK.

Qytetari Gashi e akuzon Dr. Nexhmi Duriqin, ortoped në Klinikën e Ortopedisë, për të cilin thotë se ishte shef i ndërrimit, se nuk ia ka pranuar familjarin që të shtrihet në klinikën përkatëse, pavarësisht rekomandimit të mjekut të përgjithshëm. Gashi e konsideron të çuditshme arsyetimin e Dr. Duriqit për refuzim të shtrimit në klinikën ku ushtron profesionin ai.

“Më tha shko çoje në privat, aty ku u kanë. Ma tha me njifarë inati që s’mujsha me e kuptu”, deklaroi ai.

Gashi paraprakisht ka njoftuar se, përpara vizitës në QKUK, familjarin e kishte dërguar në spital privat për vizitë.

Tutje, qytetari ka përcjellë për redaksinë edhe fotografi të vlerave të infeksionit të familjarit, për të cilën thotë se pulmologu Dr. Besim Morina, e ka vlerësuar si tejet të lartë dhe ka shkruar rekomandim për shtrirje në spital.

Qytetari konsideron se vlera e proteinës C reaktive është tejët e lartë (341.8 H). Koncentrimi normal i CRP-së konsiderohet deri në 10mg/l.

Express ka tentuar të kontaktojë Klinikën e Pulmologjisë, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje.