Shkencëtarët indianë nënvlerësojnë teoritë e Ajnshtajnit

Shkencëtarët në Indi janë përplasur verbalisht në një konferencë të rëndësishme shkencore, pasi disa folës thanë se hindusët e lashtë e kanë studiuar të parët qelizën. Në konferencën vjetore të shkencës, disa profesorë madje i nënvlerësuan zbulimet e Isak Njutonit dhe Albert Ajnshtajnit.

Mitologjia e hinduizmit dhe teoritë e mbështetura në besimin fetar po bëhen gjithnjë e më tepër pjesë e agjendës në Kongresin Indian të Shkencës. Ekspertët kanë thënë se deklaratat e këtij viti janë tepër qesharake. Kongresi Indian për Shkencën, i cili u inaugurua nga kryeministri Modi, mbahet nga 3 deri më 7 janar.

Gjatë këtij kongresi janë dëgjuar shumë deklarata kundërthënëse. Rektori i një universiteti në Indinë jugore e ka cituar një tekst të hindusëve si dëshmi që kërkimet e para për qelizën janë bërë në Indi para mijëra vjetësh. Një zyrtar tjetër i lartë universitar ka thënë se një mbret i vjetër ka pasur 24 lloje të aeroplanëve. Një shkencëtar tjetër tha se Isak Njutoni dhe Albert Ajnshtajni kanë gabuar dhe se valët gravitacionale duhet të quhen “Valët e Narendra Modit”.

Kritikët kanë thënë se tekstet e lashta duhet të lexohen, por nuk ka kurrfarë kuptimi që ato të citohen për qëllime shkencore. Ndaj deklaratave të këtyre profesorëve ka reaguar Asociacioni i Kongresit Shkencor, duke thënë se janë seriozisht të shqetësuar për ato që janë thënë në konferencë, shkruan “BBC”