Një konflikt mes dy palëve në Prishtinë, dje pas mesnate, përfundoi me shkëmbim zjarri. Personat e dyshuar në këtë rast që nisën të shtënat ndodhen në arrati, ndërsa Policia ka identifikuar dy viktimat, që ishin cak i të dyshuarve.

Rasti ndodhi në orët e mëngjesit, kur viktimat, dy vëllezër ishin duke u futur në shtëpinë e tyre, kur papritmas dikush shkrepi armën disa herë dhe gjuajti në drejtim të tyre.

Sipas informacioneve të para, vëllezërit u kundërpërgjigjën me të shtëna me armë,  por nuk është raportuar për të plagosur, shkruan Sinjali.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka arritur të sigurojë pamjet nga kamerat e sigurisë, që dëshmojnë se ka pasur shkëmbim të gjuajtjeve me armë zjarri nga të dyja palët.

Lokacioni ku ndodhën të shtënat është ekzaminuar, ndërsa dy vëllezërit kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Dy persona të dyshuar tashmë ndodhen në arrati, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim që zbardhë në plotni motivin dhe incidentin.