Shkëlzen Gashi: E kam ditur që VV s’mund të bëjë ndryshime radikale

Analisti Shkëlzen Gashi ka thënë në emisionin Pressing në T7 se pritjet e tija për qeverisjen e VV-së janë realizuar. Ai shton se nuk ka pasur pritje të mëdha pasi e njeh ekipin dhe programin e VV-së, por është i kënaqur për ndryshimin që ndodhi në pushtet.

Gashi ka komentuar qeverisjen e VV-së, 1 vit pasi kjo parti fitoi bindshëm zgjedhjet nacionale me 50.3%. Gashi thotë se sukses mund të quhet që nuk ka asnjë skandal të madh.

“Është qeverisje që nuk ka pasur asnjë aferë korruptive. Duhet cilësuar se nuk ka pasur ndryshime të mëdha por nuk kam pritur., pritjet e mija janë realizuar. Pritjet e mia kanë qenë këto, vetëm të rrëzohen ata që sunduan në Kosovë për 20 vite pasi e kam ditur se VV nuk ka ekip dhe vizion të bëjë ndryshime rrënjësore. E kuptoj dëshpërimin e qytetarëve pasi kanë besuar në ekip dhe program. Edhe VV e ka mbjellur këtë vet”, tha ai.

Ai vazhdon tutje duke thënë se qeverisja e VV-së mund të vazhdojë edhe për një mandat tjetër nëse nuk ka një forcë të re politike në skenë që mund ta rrëzojë atë.

 “Me pak fjalë kështu, kam pritur që nuk do të ketë skandale. Nuk ka ndryshime radikale ende. Mendoj se nëse për këto 4 vjet nuk krijohet një forcë e re dhe e madhe politike, mendoj se nuk do të ketë ndryshime dhe VV do e fitojë edhe një mandat’, shtoi ai.