Shkeli masat kundër COVID-19, gjobitet Blendi Klosi me 5 milionë lekë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi është gjobitur nga Policia e Shtetit me një shumë prej 5 milionë lekë, pasi ka thyer masat anti-COVID-19.

Incidenti, sipas njoftimit të policisë, ka ndodhur gjatë një takimi elektoral në qarkun e Beratit.

“Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.- thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, me gjobë prej 1 milionë lekë është ndëshkuar edhe pronari i lokalit në të cilin u zhvillua aktiviteti.

“Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ.”