Shkelet armëpushimi në Rripin e Gazës, pak minuta pasi hyri në fuqi – shkrepen disa raketa në drejtim të Izraelit

Disa raketa janë shkrepur nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku me këtë veprim është shkelur marrëveshja e përkohshme e armëpushimit – vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në fuqi, shkruan Jerusalem Post.

Raketat janë shkrepur në jug të Izraelit – vetëm tetë minuta pasi që ishte arritur marrëveshja për armëpushim mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Forcat e armatosura të Izraelit gjatë një konference për media, njoftuan se sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore janë aktivizuar në afërsi të Rripit të Gazit.

Qeveria izraelite të dielën mbrëma konfirmoi se armëpushimi në Rripin e Gazës do të hyjë në fuqi nga ora 23:30. Megjithatë ata paralajmëruan se do të përdorin forcën në rast se nuk respektohet ky armëpushim.

Ashtu edhe ndodhi, ata u kundërpërgjigjen duke shkatërruar raketat e grupit Xhihadi Islamik, duke përdorur sistemin artilerik të avancuar i njohur si “kupola e hekurt”.

Në anën tjetër nga sulmet e të premtes kanë mbetur të vrarë dhjetëra palestinezë, si dhe njeriu i dytë i grupit Xhihadi Islamik. /Telegrafi