Shkel fqinjën me aeroplan

Një 72-vjeçar nga Lubjana u dënua me një vit burg me kusht, pasi para tri vjetësh kishte goditur me një aeroplan të vogël sportiv fqinjën e tij.

Luigi Shimenc gjatë gjykimit u deklarua fajtor dhe i kërkoi falje gruas së dëmtuar, njoftojnë mediat sllovene.Sipas “Dnevnik”, Shimenc në vitin 2016 derisa po aterronte në pistën e improvizuar goditi dy gra, njëra prej tyre fqinje e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në gjykatë, ai shprehu keqardhje mbi ngjarjen dhe u shpreh i gatshëm të ndihmojë financiarisht fqinjën e tij të lënduar. Pas incidentit, ky banor i Lubjanës ende vazhdoi të fluturojë me aeroplanin e tij, por vitin e kaluar pësoi një aksident të ri në të cilën ai u plagos, ndërsa fluturakja e tij u dogj tërësisht.