Shkarkimi nuk mjafton, avokati paralajmëron kallëzim penal ndaj Todosijeviqit nëse nuk kërkon falje

Dje, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ministri serb kishte quajtur luftëtarët e UÇK-së ‘terroristë’, ndërsa masakrën e Reçakut e kishte quajtur të trilluar.

Shkarkimi i ministrit ngjalli reagime të shumta, ndër to shumica pozitive të cilat e kishin përkrahur vendimin e kryeministrit, shkruan Ballkani.info.

Mbështetje ndaj vendimit, ka shprehur edhe avokati i njohur, Nasuf Hasani.

Hasani përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kryeministri ka bërë shumë mirë që e ka shkarkuar ministrin ‘monstrum’.

Avokati ka paralajmëruar se në qoftëse Todosijeviq, nuk kërkon falje deri në fund të javës ndaj familjarëve të të masakruar në masakrën e Reçakut, atëherë ai do të parashtrojë kallëzim penal ndaj tij, për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, vepër kjo e përkufizuar në nenin 147 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Ballkani.info

Statusi i plotë i avokatit Hasani (pa ndërhyrje):

Kjo krijesë në formë njeriu i nacionalitetit serb i quajtur Ivan Todosijevic, edhe të masakruar i urren shqiptarët (sikurse Reçakun) duke qenë edhe Person zyrtar i Republikës së Kosovës. Shumë mirë bëri kryeministri që e shkarkoi, por po që se ky monstrum nuk kërkon falje publike deri në fund të ksaj jave ndaj familjarëve të të masakruarve të Reçakut për deklaratën e tij që e pohoi në Zveçan, unë Nasuf Hasani-Avokat do të parashtroj kallëxim penal ndaj tij për veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, kjo vepër penale e përkufizuar në nenin 147 par.1 të KPRKsë.