Mbi 300 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit vendimet e gjykatave gjatë periudhës janar-tetor 2021.

Këto shpenzime, gjithsej 325 mijë e 389 euro, u bënë në lidhje me paditë e shërbyesve civilë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga institucionet shtetërore.

Në raportin e publikuar nga Lëvizjes “FOL” të titulluar “Shkarkimi i paligjshëm në sektorin publik dhe pasojat në buxhetin e shtetit”, u tha se në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShC) gjatë vitit 2019 – tetor 2021, në këtë institucion janë parashtruar gjithsej 128 ankesa nga shërbyes civilë.

54% prej këtyre ankesave janë parashtruar ndaj vendimeve të administratës qendrore, ndërsa 46% janë parashtruar ndaj vendimeve të asaj lokale.

Institucionet që kanë humbur më së shumti gjatë kësaj periudhe 10 mujore, ishte komuna e Drenasit me 65 konteste të humbura, Agjencia për Aftësim dhe Arsim Profesional me 13 konteste të humbura, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 11 konteste të humbura.

Ndërsa, Institucioni me më së shumti konteste të fituara gjatë kësaj periudhe ishte Ministria e Punëve të Brendshme me 16 sosh.