Përplasja

Shkarkime të drejtorëve, kërkesë për ndryshim të ministrave- Përçarja tek politika shqiptare në Maqedoni kalon një nivel tjetër

Përplasja brenda Aleancës për Shqiptarët ka vijuar me shkarkime të drejtorëve dhe të kryesive të degëve, të cilët kanë mbështetur kryetarin e partisë Arben Taravari.

Qeveria dje shkarkoi dy drejtorë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shkarkimet të vazhdojnë edhe në Kuvend, pasi dje përkrahësit e Ziadin Selës, nëpërmjet Komisionit kadrovik të partisë, i propozuan kryeministrit shkarkimin e dy ministrave – atë të Shëndetësisë dhe atë të Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Të dy ata dje mbajtën konferencë për shtyp para Qeverisë së RMV-së ku theksuan se kjo është hakmarrje politike.

“Seanca e tretë e Qeverisë është mbajtur jashtë të gjitha procedurave, ndërsa Artan Grubi ka vendosur se cila pikë të kalojë e cila jo”, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

“Artan Grubi, për të gjitha projektet për të cilat është përgjegjës MSHIA a dhe Ministria e Shëndetësisë, thjesht i hodhi poshtë pa i lexuar dhe për fat të keq kryeministri teknik pranoi. Gjithashtu, një nga pikat ishte edhe shkarkimi i dy drejtorëve nga Aleanca për Shqiptarët. Çështjet e tilla të personelit fillimisht duhet të sinkronizohen në nivel të koalicionit qeveritar, e më pas të futen në rend dite”, tha Aliu, duke sqaruar se në rastin ajo procedurë nuk u respektua.

Informacioni i shkarkimit të drejtorëve u konfirmua edhe nga Qeveria nëpërmjet një kumtese.

“Qeveria ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare shtetërore për qarkullim postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” – Shkup që ta shkarkojë Bujare Abazin, nga detyra si anëtar i Bordit Drejtues – që mban titullin Drejtori i Përgjithshëm, dhe si anëtar i Bordit Drejtues të Shoqërisë Aksionare për të zgjedhur Idri Istrefin. Në seancën e sotme është shkarkuar nga detyra edhe Gazmend Abdija,ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Bujare Abazi është nënkryetare e Aleancës për Shqiptarët, ndërsa Gazmend Abdija kryetar i Degës së Gostivarit, të dy përkrahës të Arben Taravarit.

Ministrat Aliu dhe Mexhiti, poashtu mbështetës të Taravarit, kanë thënë se nuk do të japin dorëheqje nga pozitat e tyre. Mirëpo, ASH bëri të ditur se do t’i propozojnë kryeministrit shkarkimin e dy prej tre ministrave që kjo parti ka në qeveri.

Arsyeja për të cilën kërkohet shkarkimi i Aliut dhe Mexhiti është se përmes postit ministror kanë kryer veprime që janë në kundërshtim me Kodin e Etikës, përfshirë shantazhe dhe presione ndaj anëtarëve dhe punonjësve të ASH-së.

Ndryshe, përplasjet brenda ASH-së erdhën pasi kryetari i saj Arben Taravari kërkoi publikisht që partia të shkojë në zgjedhje së bashku me partitë tjera opozitare shqiptare, ndërsa kundër kësaj dolën anëtarët tjerë të partisë, në krye me kryetarin e Kuvendit Qendror Ziadin Sela. Ky i fundit për të shtunën ka thirrur mbledhje të Kuvendit të partisë, në të cilën siç tha, do të diskutohet për “përgjegjësinë e kryetarit” dhe nuk e përjashtoi mundësinë që ai edhe të shkarkohet. /Telegrafi/