Shkaku i pandemisë, çifti martohet në kufi, pranë prindërve të nuses

Kur masat kundër pandemisë ua vështirësuan hyrjen në ShBA prindërve të një nuse kanadeze, ajo mori një vendim të pazakontë – e mbajti dasmën në kufi.

Karen Mahoney dhe bashkëshorti i saj i ri, Brian Ray, i thanë televizionit CNN se u takuan 35 vite më parë, kur më në fund u fejuan në mars. Thonë se i bashkoi dashuria për skijimin. Por Mahoney tha se është vetëm një gjë që ka rëndësi për të: t’i ketë prindërit dhe gjyshen 96-vjeçare në dasmë.

“Ajo është e vetmja që ende jeton nga gjyshërit, prandaj ishte shumë e rëndësishme për mua që ajo të ishte aty për ta shikuar ditën më të lumtur të jetës sime”, tha nusja.

“Pjesa më e rëndësishme e ditës për ne ishte kur ia dhamë premtimin njëri-tjetrit dhe deshëm që prindërit e mi e gjyshja ime të ishin dëshmitarë në këtë rast”, shtoi ajo.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime për udhëtimet me Kanadanë që nga fillimi i pandemisë dhe ua ka zgjatur afatin këtyre masave disa herë. Udhëtimi përmes ajrit është i lejuar, por prindërit e nuses nuk deshën të rrezikonin, sidomos duke e marrë parasysh moshën e gjyshes

Mahoney tha se çifti ka një mik që punon në patrullën kufitare, i cili më parë i kishte ndihmuar për të organizuar takim me familjen në kufi, përfshirë rastin kur Ray ia kishte kërkuar dorën e së bijës babait të saj. Prandaj, ata kërkuan ndihmë përsëri nga miku.

Ai ua shpjegoi rregullat, përfshirë kushtet që të qëndrojnë në territoret përkatëse dhe të mos shkëmbejnë asgjë me njëri-tjetrin dhe e informoi patrullën për atë që do të ndodhte, nëse pjesëtarët tjerë do ta vërenin në kamerat e sigurisë.

Përktheu: Nasuf Abdyli