Shiten me çmim rekord stolitë e mbretëreshës Marie Antoinette

Me një çmim prej 32 milionë frangash zvicerane, në një ankand në Gjenevë të Zvicrës është shitur varësja prej “perle dhe diamanti” e mbretëreshës franceze Marie Antoinette

Me një çmim prej 32 milionë frangash zvicerane, në një ankand në Gjenevë të Zvicrës është shitur varësja prej “perle dhe diamanti” e mbretëreshës franceze Marie Antoinette, raporton Anadolu Agency.

Në evenimentin e organizuar nga Shtëpia e Ankandeve Sotheby’s, në shitje u vendos një set prej dhjetë stolish që përbëhej nga perla, varëse diamanti, vathë, qafore dhe karfica zbukurimi që i përkisnin mbretëreshës së fundit të Francës.

Varësja prej perle dhe diamanti, çmimi i së cilës u caktua në 1-2 milionë franga zvicerane, u ble për 32 milionë franga nga një pjesëmarrës anonim.

David Bennett, kryetari i departamentit të stolieve ndërkombëtare pranë Shtëpisë së Ankandeve Sotheby’s, njoftoi pas ankandit një shitje prej 53,5 milionë frangave në eveniment, ku kanë ofruar në shitje gjithsej 100 artikuj.

Bennet tha se kjo vlerë paraqet rekord botëror për sa i përket shitjes së stoleve mbretërore në një ankand.

Ndërkaq, seti prej dhjetë stolive i mbretëreshës Marie Antoinette, i ofruar në shitje në kuadër të Shtëpisë së Ankandeve Bourbon-Parma, është shotur për 43,1 milionë franga, tha Bennet, sipas të cilit, ankandi në Gjenevë do të hyjë në histori.

Ndërkohë, Daniela Mascetti kryetarja shtëpisë së ankandit përgjegjëse për stolitë në Evropë, tha për AA se shtija e varëses së mbretëreshës franceze për 32 milionë franga është historike pasi asnjë varëse nuk është shitur me këtë çmim deri më tani.

“Jemi shumë të lumtur. Kjo, natyrisht, është shitja e shekullit për një stoli të tillë”, tha ajo.

Mascetti theksoi se stolitë janë përcjellur si trashëgimi brez pas brezi dhe për herë të parë pas 200 viteve u ofruan për shitje.

Ndryshe, Marie Antoinette, e martuar me mbretin francez Louis XVI, njihet për jetën luksoze dhe vdekjen e saj dhe si një nga figurat më të paharruara të Revolucionit Francez. Ajo u ekzekutua në vitin 1793 me gijotinë në sheshin simbolik Concorde në Paris në moshën 37 vjeçe. Jeta e saj ka qenë temë e shumë filmave dhe librave.