Shiste “ilaçin” kundër koronavirusit, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj gjilanasit

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, i cili kishte publikuar në Facebook njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e koronavirusit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se aktakuza është ngritur për shkak të veprës penale ‘’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’.

Sipas aktakuzës, më 6 prill 2020, i pandehuri K.A., në fshatin Përlepnicë Komuna e Gjilanit, ka vënë në qarkullim barëra ose produkte të dëmshme mjekësore, pa iu bërë kontrolli i nevojshëm nga personi apo enti i autorizuar, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ‘’Facebook’’, ka publikuar  njoftimin për vënien në qarkullim të barit për luftimin e Corona Virusit.

“Në këtë mënyrë, i njëjti ka  vepruar në kundërshtim  me  Ligjin  për Shëndetësi  04/L-125 dhe Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale 04/L-190”, thuhet në komunikatë.