Shijojini temperaturat, parashikimi i motit për sot

Gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe i qetë.

Ky mot, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të kushtëzohet nga masat e ajrit me presion të lartë, të cilat kanë përfshirë vendin.

“Vranësirat kalimtare pritet të ketë vetëm përgjatë relievit malor, ndërsa pjesa tjetër e territorit mbetet nën ndikimin e rrezeve të diellit”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.Sa u përket temperaturave, parashihet që temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius.

Indeksi UV do të jetë në vlerat e larta, që nënkupton se nga ora 9-17 mundësisht të jemi sa më të kufizuar nga rrezet e diellit.

Kështu, IHK bën të ditur se kushtet agrometeorologjike do të jenë në favorin e bujkut, meqë prezenca e gjatë e insolacionit pas reshjeve të fundit, sipas këtij instituti, do të ndikojë pozitivisht në të gjithë florën. Po ashtu, parashikohet se do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare.