Armëmbajtje

Shifra të larta të armëmbajtjes pa leje

Për dy muaj janë regjistruar nga Policia e Kosovës 270 raste të armëve pa leje dhe 40 raste të përdorimit të tyre. Këto statistika vlerësohet se do duhej të zgjonin reagim institucional, në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale.

Të shpeshta janë bërë në raportet 24 orëshe të Policisë së Kosovës, deklarimi i veprave kriminale që në qendër kanë armët.

Madje vetëm për dy muajt e parë të vitit, në numra treshifrorë kanë shkuar rastet e armëve pa leje.

“270 raste të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. 40 raste të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Këto shifra vlerësohet se reflektojnë një shkallë pasigurie në vend.

“Tregon që mund të ketë një pasiguri në kuptimin e incidenteve sporadike që mund të ndodhin mes qytetarëve. Mendoj që Ministria e Brendshme dhe institucionet në përgjithësi duhet të kenë programe për çarmatosjen e qytetarëve në vazhdimësi. Por njëkohësisht të ketë edhe operacione që kohë pas kohe t’iu bëhen kontrolle qytetarëve”, tha Selami Shkodra, ish-zëvendëminsitër i Punëve të Bredshme.

Por në parandalimin dhe luftimin e këtyre dukurive, kërkohet më shumë angazhim nga institucionet.

“Epilogu i përdorimit të armëve shpesh rezulton me viktima, me fatalitit. Prandaj kjo dukuri është shumë ngarkuese për sigurinë, determinuese për sigurinë, dhe qeveritë, jo vetëm e tanishmja, por edhe qeveritë e mëhershme, kanë provuar në forma të ndryshme, me amnesty, me dorëzim të vullnetshëm të armëve, e kështu me radhë. Por duhet të bëhet më shumë në këtë aspekt, që të zvogëlohet në minimum numri i armëve pa leje në duart e qytetarëve”, u shpreh njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku.

Javë më parë si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri në kryeqytet, dy persona humbën jetën, njëri prej tyre kalimtar rasti.

VIDEO BONUS: