Shifra shqetësuese, prostitucioni rritet me të madhe në Kosovë

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë inicuar 37 raste për veprat penale që lidhen me prostitucionin.

Shifra të siguruar nga Policia e Kosovës.

Për veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” janë hapur 26 raste.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 234 pika 1, Kushdo që rekruton, organizon, ndihmon, mban, fsheh ose kontrollon personin tjetër për qëllime të prostitucionit, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 4 vjet.

Kurse për veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion” janë inicuar 11 raste.

Sipas KPRK-së, neni 235 pika 1, kushdo që me dijeni ofron lokalin, qoftë si pronar i lokalit, qiradhënës, qiramarrës, shfrytëzues ose person përgjegjës, personit tjetër për qëllim të prostitucionit ose mundësimit të prostitucionit,
dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 4 vjet.

Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka dyfish më shumë raste.

Gjatë vitit 2020 janë inicuar 19 raste për ato vepra penale, pra, 18 raste më pak se këtë vit.

Prostitucioni më së shumti në Kosovë ndodh në qendrat e masazheve.

Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të quajtur “Masazha 2021”, ku edhe janë arrestuar disa persona.

Kjo dukuri më së shumti dëmton gratë dhe vajzat. Për këtë gjë, Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar nga PK që të vazhdojë me këtë plan, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e mirëqenies së grave dhe vajzave në Kosovë, si dhe luftimin e padrejtësive dhe diskriminimit gjinor ndaj tyre./Indeksonline/