Shfuqizohet organogrami i SHSKUK-së i cili punësoi jashtëligjshëm dhjetëra persona

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar ka shfuqizuar organogramin me anë të të cilit janë lidhur dhjetëra kontrata menaxheriale dhe jo menaxheriale, të cilat janë evidentuar si të jashtëligjshme nga Auditori i Brendshëm.

Organogrami i ri i SHSKUK-së ishte krijuar në nëntor të vitit 2018 në kohën kur SHSKUK udhëhiqej nga dr. Basri Sejdiu dhe ishte miratuar nga Bordi i atëhershëm në krye me Naser Ramadanin. Por ky organogram u shpall i jashtëligjshëm në maj të këtij viti nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo për faktin se ogranogrami nuk kishte kaluar procedurat ligjore të parapara me statut, i cili duhej të miratohej nga ministri i Shëndetësisë, që në atë kohë ishte Uran Ismaili nga PDK. E ky organogram i mundësoi kësaj partie që të punësoj militantë dhe zyrtarë të partisë.

Por vendimi për këtë organogram tashmë është shfuqizuar nga Bordi i ri i SHSKUK-së, dhe rrjedhimisht edhe pozitat e përcaktuara me këtë organogram do të shuhen. Sipas Auditorit të Brendshëm në SHSKUK dhe QKUK janë lidhur 21 kontrata punë menaxhuese dhe 19 pozita jo menaxhuese bazuar në organogramin e SHSKUK-së.

U.d. drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi, ka deklaruar se organogrami i ri pritet të hartohet brenda 2 javëve dhe do të jetë në harmoni me Statutin e SHSKUK-së.

“Pozitat jashtëstatutore do të shuhen, përfshirë edhe ato menaxheriale, ndërsa për çdo rast do të veprohet konform dhe duke respektuar plotësisht aktet normative në fuqi”, ka deklaruar Krasniqi.

Gazeta ka mësuar nga burime se Bordi ka kërkuar nga Krasniqi që të marr masa ndaj zyrtarëve përgjegjës që kanë lidhur këto kontrata, në bazë të të gjeturave nga Auditori i Brendshëm në raportin e auditimit për personelin e SHSKUK-së dhe QKUK-së. Krasniqi nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje.