Deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj,e ka quajtur Qeverinë Kurti “Qeveri e pishmanit”.

Arsye për këtë reagim është tërheqja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), nga vendimi i mëhershëm për lirim nga pagesa e biletave të autobusëve për disa kategori shoqërore.

“Sot Ministria e Infrastrukturës u detyra ta tërheqë vendimin e vet të lëshuar para disa ditëve, për lirimin e 50% të biletave”, ka shkruar Lekaj në rrjetin social në Facebook.

“Kjo është tallje me qytetarët e Kosovës, s’ka më keq”, ka shkruar Lekaj.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Shoqata e Transportueseve Rrugorë kanë gjetur një kompromis në lidhje me çmimin e biletave të autobusëve.

MMPHI-ja ditë më parë mori vendim që nga rritja e çmimit të biletave të lirohen disa kategori si qytetarët, personat me nevoja të veçanta, pensionistët dhe invalidët e luftës, mirëpo me këtë vendim nuk është pajtuar Shoqata e Transportuesve Rrugorë.

Pas takimeve të përbashkëta të MMPHI-së dhe përfaqësuesve të kësaj shoqate, ata kanë arritur që, duke marrë parasysh rënien e çmimit të naftës, çmimet për kategoritë shoqërore të rikthehen siç kanë qenë më herët.