Arben Vitia

Shfaqet Vitia, i kënaqur me punën e infermierëve, bën një paralajmërim për qytetarët

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot në Ditën Ndërkombëtare ka uruar infermieret që gjatë tërë kohës prej kur shpërtheu pandemia në Kosovë, ishin në detyrë transmeton ballkani.info

“Sot në ditën ndërkombëtare të infermierisë dua të falënderoj dhe shquaj rolin e pazëvendësueshëm të të gjithë infermiereve të vendit tonë. Në këto tre muaj e fundit si kurrë më parë përmbushja e detyrës nga ana e tyre ka qenë jetike për luftën ndaj Corona virusit”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Përballja e tyre e përditshme në linjën e parë të këtyre betejave, thotë Vitia, i ka lënë në mungesë në familjet e tyre.

“Përjetë falënderues secilës e secilit që me përkushtim të pashoq vijon punën edhe në këto çaste në mbrojtje të jetës. T’i urojmë sot të gjitha infermierët tona duke marrë masat për të mos i hapur atyre më shumë vështirësi, të respektojmë pra në çdo hap tonin rregullat mbrojtjes dhe distancimit. Ky do të ishte falënderimi dhe mirënjohja më e madhe për to, disiplina qytetare në shmangien e rasteve të reja të infektuara”, përfundon Vitia.

MSH-ja sot gjatë ditës bëri thirrje përsëri të respektohen masat, përndryshe, mund të ketë ashpërsim masash. /Ballkani.info/