“Shëtitjet” në Evropë në kohë krize, Kurti kritikohet se po shkon në ngjarje të parëndësishme

Ndryshe nga ministrat e tij dhe një prej kryetarëve të komunave që s’kanë mundur të udhëtojnë drejt Amerikës me sugjerim të Ambasadës së SHBA-së, Kurti ka vendosur të qëndrojë pak ditë jashtë Kosovës, në Austri dhe Gjermani, në një kohë për të cilën ambasadori amerikan, Jeff Hovenier e ka cilësuar si kohë krize gjatë së cilës s’duhet udhëtuar dhe duhet qëndruar në Kosovë për të zgjidhur situatën e krijuar.

Situata në veri të Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e brishtë pasi “Lista Serbe” nën direktivat e Beogradit ka vendosur të lëshojë institucionet e Republikës së Kosovës si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë, Nenad Gjuriq, i cili nuk ka zbatuar masën për qortim.

Dalja e serbëve nga Kuvendi, dorëheqja e kryetarëve të komunave dhe lëshimi i të gjitha pozitave të tjera në Polici e Prokurori ka futur veriun në një krizë të thellë. Shteti është detyruar që të dërgojë policë nga vende të tjera të Kosovës nëpër pikat kufitare, ndërkohë është bërë edhe transferim i prokurorëve. Për funksionim të ligjit në veri ka dërguar forca edhe EULEX, ndërkohë KFOR-i vazhdon ta monitorojë situatën.

Për të shmangur gjithë këtë situatë, në adresë të kryeministrit Kurti në vazhdimësi kanë shkuar kërkesa nga aleatët, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta shtyjë vendimin për targat ilegale. Megjithatë Kurti ka vendosur të mos e dëgjojë SHBA-në duke shkaktuar zhgënjim dhe shqetësim tek Washingtoni zyrtar, shkruan Express.

Një mos dëgjueshmëri e tillë ndaj Amerikës dhe acarim i raporteve ka rezultuar me një sugjerim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për zyrtarët e shtetit dhe kryetarët e komunave nga radhët e Vetëvendosjes që të mos udhëtojnë përtej Atlantikut meqë situata në Kosovë është krizë dhe duhet marrë me të në mënyrë intensive për të gjetur zgjidhje.

Një vendim i tillë për të mos lejuar udhëtimet drejt SHBA-së në Kosovë është interpretuar edhe si një sanksion i Amerikës ndaj kryeneçësisë së Qeverisë Kurti për të mos përfillur kërkesën për shtyrje të vendimit për targat.

Pavarësisht gjithë kësaj rrëmuje në vend dhe situatës së tensionuar në veri që po vazhdon të vlojë me rrezikun potencial për shpërthim, kryeministri Albin Kurti ka vendosur që të realizojë udhëtime jashtë Kosovës për të marrë pjesë në disa forume ekonomike tepër të vogla.

Të hënën më 14 nëntor ka udhëtuar drejt Austrisë ku ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës. Atje Kurti ka shfrytëzuar rastin për t’u takuar edhe me mërgimtarët që jetojnë dhe veprojnë në kryeqytetin austriak.

Pas Austrisë, Kurti ka marrë aeroplanin dhe ka udhëtuar drejt qytetit të Shtutgartit në Gjermanie për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik “Global Connect 2022”.

Në një organizim të tillë në Gjermani kanë marrë pjesë biznesmen gjermanë dhe ambasadori i Kosovës atje.

Këto udhëtime të Kurtit dhe ky qëndrim jashtë Kosovë vjen në një kohë krize, me institucionet në veri të cilat funksionojnë më vështirësi, me Kuvendin që ka mbetur pa deputetët e Listës Serbe dhe katër komunat që janë paralizuar shkaku i dorëheqjes së kryetarëve.

Për këtë në një intervistë në Pressing ka folur edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se janë organizime jashtëzakonisht të rangut të ulët në të cilat s’duhet të dërgohen as deputetët e Kuvendit e lërë më që të marrë pjesë në to kryeministri i vendit.

“Ky sillet poshtë e lartë nëpër seminare që janë të rendit të tretë dhe të katërt që edhe deputetet me i çu nuk bën sepse deputetët ndoshta kanë detyra më të rëndësishme, është shumë joserioze”, ka thënë Hoti kur ka folur për këshillën e Ambasadës Amerikane që të mos udhëtohet jashtë Kosovës shkaku i krizës në vend.