Sherri i rinumërimit po shtyhet marrëveshja për koalicion

Rinumërmi i 1 mijë e 428 vendvotime e shtyen finalizimin e marrëveshjes për koalicionin VV-LDK

Nëse konfirmohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për votat e ardhura nga Serbia, edhe nga Gjykata Supreme, diferenca në mandate mes këtyre dy subjekteve, që legjislaturën e kaluar përbënin opozitën, do të jetë vetëm një. VV-ja do t’i ketë 29 deputetë, kurse LDK’ja 28.

Derisa në VV një ditë më herët kanë thënë se janë duke pritur të caktohet një takim mes liderëve Albin Kurti (VV) dhe Isa Mustafa (LDK), ky i fundit e ka përjashtuar që kjo të ndodhë para se të përfundojë procesi i rinumërimit dhe certifikimit të rezultateve.

Çështjet e diskutuara deri më tani mes dy subjekteve në kuadër të grupeve teknike janë ekonomia, siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, infrastruktura, energjetika, çështjet sociale dhe bujqësia. Ndërkohë, politika e jashtme dhe ndarja e kabinetit janë lënë në nivel të kryetarëve. Mospajtime mes tyre ka për postin e presidentit, ku LDK-ja vazhdon të insistojë që edhe ky post të jetë pjesë e kulaçit të pushtetit.

loading…