Sherifi: Vizita e Von Cramon-it në Speciale, përbën skandal

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka komentuar vizitën e Viola Von Cramon-it në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai thotë që vizita e një politikaneje në një gjykatë dhe vlerësimi i punës së gjykatës nga një politikane përbën skandal të llojit të vet dhe jo të vetmin në tekstin që ka postuar.

Postimi i plotë:

Ndërhyrjet dhe shtrembërimet e dëmshme të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon!

Siç bëri të njohur për opinionin publik nëpërmjet postimit në Tëitter, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, zonja Viola Von Cramon, ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Pas kësaj vizite ajo e cilësoi punën e kësaj gjykate si “punë e jashtëzakonshme” “për të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësive të tyre”!

Konsideroj se vizita e një politikaneje në një gjykatë dhe vlerësimi i punës së gjykatës nga një politikane përbën skandal të llojit të vet dhe jo të vetmin në tekstin që ka postuar. Më poshtë do të sjell vetëm disa nga qëndrimet e saja që do të nxjerrin në pah ndërhyrjet dhe shtrembërimet e rënda që i bën zonja Viola Von Cramon lidhur me realitetin e kësaj gjykate.

1. Pas skandalit politik të Prokurorisë Speciale që bëri publike një aktakuzë ende të pa konfirmuar nga gjykata, zonja Viola Von Cramon jep vlerësime politike për punën e një gjykate;

2. Në publikimin e vet zonja Viola Von Cramon përmend se Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës që janë zhvendosur në Hagë. Ajo e di fare mirë se këto institucione u themeluan nga Kuvendi i Kosovës. Dihet botërisht se asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës, madje as ata që kanë votuar themelimin e saj, nuk kanë të drejtë të vizitojnë këtë gjykatë e lëre më të japin vlerësime për punën e saj. Sikur të kishte kërkuar një deputet i Kosovës të vizitonte këtë gjykatë, ithtarët e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike do ta cilëson si skandaloze një kërkesë të tillë. Atëherë shtrohet pyetja se me çfarë të drejte zonja Viola Von Cramon bëri këtë vizitë?

3. Ndoshta dikush do të përpiqet ta arsyetoj vizitën e zonjës Viola Von Cramon me funksionin që ka për të raportuar për Kosovën në Parlamentin Evropian, mirëpo pikërisht këtu shpërthen skandali më i rëndë i deklaratës së saj.
Ajo shtrembëron në mënyrë të paskrupullt qëllimin e gjykatës duke ua prezantuar rrejshëm kolegëve të vet të Parlamentit Evropian dhe publikut të gjërë si gjykatë që gjoja paskësh për qëllim “të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësive të tyre”.
Të gjithë e dinë se kjo gjykatë nuk është krijuar për të sjellë drejtësi në Kosovë, por është gjykatë politike që vë në bankën e akuzës luftën çlirimtare të popullit të Kosovës;
Gjithashtu botërisht është e njohur se përveç pjesëtarëve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asnjë pjesëtar i kombësive tjera nuk është objekt hetimi i kësaj gjykate; Megjithatë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian e shtrembëron këtë realitet dhe e paraqet se gjoja drejtësia do të ngadhënjejë pavarësisht kombësive të atyre që kanë kryer krime!!!

4. Ky shtrembërim i realitetit përjetohet edhe më rëndë kur dihet fare mirë se asnjë pjesëtarë i strukturave ushtarake, policore dhe politike të Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk janë objekt hetimi dhe dënimi nga gjykata që gjoja do të sjellë drejtësi në Kosovë ndaj atyre personave që besohet se kanë kryer krime lufte, pavarësisht kombësive të tyre”!