Sherifi thotë se rezoluta për gjenocidin e ish-regjimit serb nuk është e vonuar

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se rezoluta e cila po miratohet nga Kuvendi i Kosovës për dënimin e krimeve të luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë, do të flas me zërin e të gjithë skenës politike.

Sipas tij, Kosova nuk ka pasur ndonjë dokument zyrtarë ku janë të unifikuara të gjitha qëndrimet e institucioneve dhe në miratimin e kësaj rezolute të gjitha partitë janë të bashkuara.

Sipas Sherifit, rezoluta për dënimin e krimeve të luftës nuk është e vonuar sepse sipas tij krimet e luftës nuk vjetrohen.

“Po bëhen 20 vjet që kur ka përfunduar lufta dhe përderisa gjitha vendet flasin për gjenocidin në Kosovë, ne ende nuk ka pasur një dokument zyrtarë ku do të unifikoheshin të gjithë qëndrimet e institucioneve.Përderisa të gjithë kanë pasur nga një rrëfim, edhe pse kanë qenë të përafërta, nuk kemi pas rezolutë, dhe kjo është mundësi e mirë sepse të gjitha partitë janë bashkuar rreth kësaj rezolute. Krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë, për tu gjykuar ato nuk është vonë asnjëherë”, ka thënë ai duke shtuar që Kosova duhet të përgatitet ta padisë Serbinë.

Ai në emisionin “Express Intervista” të KTV-së, tha se përmes Ligjit të Dënimit në Mungesë, Kosova do t’i dënojë të gjithë personat që kanë kryer krime në Kosovë edhe nëse ata nuk dënohen nga Serbia.

“Komisioni është duke vazhduar me intensitet punët e tij. Do të hapet rruga për t’u grumbulluar provat, pasi të mblidhen këto prova, do të adresohen tek Gjykata për Krime në Kosovë, nëse Serbia refuzon t’i dënojë, Kosova ka të drejtë t’i dënojë me Ligjin për Dënim në Mungesë. Ne kemi të drejtë të kërkojmë nga vendet e botës që t’i ekstradojnë personat që kanë kryer krime”, ka thënë ai.

Megjithatë sipas tij, institucionet janë vonuar në trajtimin e kësaj çështje vetëm sa i përket individëve që i kanë kryer krimet sepse shumë prej tyre mund të mos jenë gjallë.

Ai ka përshëndetur fjalimin e Vasfije Krasniqit në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar si njërin nga lajmet më të mira që ka pasur Kosova, sa i përket kësaj çështje.

“Ne të gjithë shqetësohemi për rrethin tonë por për shkak të mentalitetit shoqëria është vonuar të pranojë realitetin se qindra e mijëra gra janë dhunuar në Kosovë, por një gjë e tillë është tejkaluar. Lajm më të mirë moti Kosova nuk ka dëgjuar se sa rrëfimi i Vasfije Krasniqit në Kongresin Amerikan”, ka thënë ai.