Sherifi: Iniciativa e Veselit për listat e veteranëve s’duhet ta pengojë drejtësinë

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e çoi në Kuvend iniciativën për krijimin e një grupi hetimor parlamentar për hetim të listave të veteranëve. Ani pse me një gjë të tillë ka kohë që po merren gjykatat, e ky i fundit u kritikua për ndërhyrje në drejtësi, Veseli deshi me çdo kusht të përçojë mesazhin se po e lufton korrupsionin dhe abuzimet. Opozita ka kritikuar ashpër këtë kërkesë të Veselit, e nëse do ta japin votën pro këtij komisioni nuk janë të sigurtë as partitë e pushtetit. Për Gazetën Express ka folur, shefi i grupit parlamentar të Nismës Social Demokrate, Bilall Sherifi.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli është kujtuar tash që tash të flasë për atë që mund të bëjë Kuvendi i Kosovës, paralelisht me keqpërdorimet që janë bërë me listat e veteranëve të luftës, ani pse kjo temë ka kohë që është në duar të drejtësisë.

Karshi saj, Veseli ka propozuar që të krijohet një Komision Hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet e bëra me lista, duke thënë se do të verifikohet një për një secili mashtrues, e këtë kërkesë, duke e përcjellë me disa nënshkrime të deputetëve të partisë së tij, dje e përcolli për në kryesi.

Mirëpo, derisa opozita kanë konsideruar se kërkesa e tij është e panevojshme e ndërhynë në procesin gjyqësor, as partitë e koalicionit nuk kanë ende ndonjë vendim se çka do të veprojnë karshi kësaj iniciative.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë për Gazetën Express se edhe pse partia në të cilën ai bën pjesë është për pastrimin e listave të veteranëve, kjo çështje është tashmë në duar të drejtësisë.

“Në parim Nisma padyshim që angazhohet që procesi i pastrimit të listave nga veteranët mashtrues duhet të vazhdojë dhe të përfundojë me sukses. Kjo çështje tanimë është në duar të sistemit të drejtësisë dhe inkurajojmë ata që kësaj çështje t’i shkojnë deri në fund. Format tjera që i kontribuojnë procesit të pastrimit, të cilat mund të jenë në mbështetje të gjyqësorit, janë të mirëseardhura, por, në asnjë rast si zëvendësim i saj”, ka bërë të ditur Sherifi, teksa ka shtuar se ende nuk dihet se si e ka menduar Veseli punën e këtij komisioni.

“Ndërsa për rastin konkret sapo të marrim iniciativën të shkruar do ta bëjmë publik qëndrimin sepse ende nuk e dimë se si e ka menduar punën e këtij komisioni. Deri tani nuk kemi marrë ende diçka konkrete”, shtoi shefi i grupit parlamentar të partisë Nisma.

Kjo deklaratë e Veselit vjen pasi që rasti “Veteranët” u pat diskutuar në opinion e për këtë veçse ka të ngritur aktakuzë për disa persona.

Sipas aktakuzës që u ngrit vitin e kaluar nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në ligjin për hetim paralementar shkruhet se fusha e veprimit të Komisionit duhet të jetë në pajtim me kushtetutën dhe dispozitat ligjore të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cënuar pavarësinë dhe duke mos e penguar veprimtarinë e organeve të tjera.