Sherifi: Dështimi në Interpol nuk ishte i papritur

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate Bilall Sherifi, ka reaguar ndaj mos anëtarësimit të Kosovës në organizatën Interpol, duke thënë se një dështim i tillë duhet të shërbejë si alarm për shtetit tonë.

Në një postim në Facebook, ai kërkon mobilizim të institucioneve tona për t’ua bërë të njohur të gjitha shteteve në botë se çështja e statusit politik të Kosovës ka përfunduar një herë e përgjithmonë dhe se ëndrrat serbe për ndarje bartin rreziqe për luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i plotë:

Mospranimi i Kosovës në Interpol nuk mund të shihet i ndarë nga ofensiva diplomatike disavjeçare e Serbisë në funksion të zhbërjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi. Ky rezultat është në përputhje të plotë me këtë strategji dhe nuk ka asgjë të papritur. Ajo që ishte e papritur në këtë kontekst ka të bëjë me mungesën e madhe të diplomacisë së Kosovës dhe Shqipërisë në skenën politike ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, në vend të mobilizimit të gjithanshëm diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë, aktivitetet tona diplomatike u kufizuan në temën e dialogut me Serbinë dhe sidomos rreth projektit serb për ndarjen e Kosovës.

Në vend që dialogu të jetë shpresëdhënës për mbylljen e një kapitulli tragjik në marrëdhëniet e Kosovës dhe të Serbisë, shteti serb e shfrytëzoi këtë çështje për të propaganduar se gjoja bëhej fjalë për përcaktimin e statusit politik të Kosovës. Si rezultat i veprimtarisë intensive të diplomacisë serbe kemi tërheqjen e disa njohjeve me arsyetim se nuk dëshirojnë të prejudikojnë statusin final të Kosovës.

Dështimet e fundit të diplomacisë sonë duhet të kumbojnë si alarm për institucionet shtetërore, forcat politike dhe tërë shoqërinë civile të Kosovës, që t’i mobilizojmë të gjitha energjitë tona pozitive për t’ua bërë të njohur të gjitha shteteve në botë se çështja e statusit politik të Kosovës ka përfunduar një herë e përgjithmonë dhe se ëndrrat serbe për ndarjen e Kosovës bartin me vete rreziqe për të ndezur luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor.

Përderisa në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë Kosova ishte beteja e fundit e humbur e Serbisë, gjeneratorit të aq luftërave me pasoja tragjike, jetësimi i projektit për ndarjen e Kosovës do të inkurajonte vazhdimin e politikave të saja pushtuese!