Maccabi Haifa

Shërbimet serbe të sigurisë dështuan sërish, Zvezda anuloi mikpritjen ndaj ekipit izraelit

Klubi serb i futbollit Ylli i Kuq (Crvena Zvezda) anuloi mikpritjen e Maccabit izraelit nga Haifa, i cili duhej të luante ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Rennes francez në stadiumin “Rajko Mitiq”.

Ndonëse ende nuk dihet arsyeja e këtij vendimi nga bardhekuqtë, një nga pyetjet është nëse arsyeja e mundshme është rreziku i sigurisë për të luajtur një ndeshje të tillë ndërkohë që lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon, shkruan Ballkani.info.

Klubet e basketbollit Maccabi nga Tel Avivi, si dhe dy ekipe të Hapoelit, nga Tel Avivi dhe Jerusalemi, i luajnë ndeshjet e tyre në Beograd, por sigurimi i një ndeshje futbolli është një punë shumë më komplekse dhe një rrezik më i madh.

Bogoljub Milosavljeviq, i cili ishte profesor asistent dhe profesor i asociuar në Akademinë e Policisë në Beograd, beson se shfaqja e klubeve izraelite në Beograd paraqet një rrezik të shtuar të sigurisë, por se shërbimet serbe të sigurisë kanë vlerësuar se nuk ka rrezik për një sulm të mundshëm.

– Mendoj se ka mbizotëruar interesi ekonomik dhe është vlerësuar se rreziku i sigurisë nuk është i madh. Pyetja është nëse ai ekziston fare. Të luajnë ato klube në Serbi sjell disa para, për shembull nga marrja me qira e sallave apo skuadrave që qëndrojnë në Beograd – shpjegon Milosavljeviq.

I pyetur nëse do t’i ofronte Serbisë që të presë klubet izraelite në rrethana të tilla, Milosavljeviq thotë se do ta mendonte me kujdes.

– Duhet të merret parasysh se sa fitimprurëse është në planin afatgjatë për marrëdhëniet me Izraelin. Sigurisht që marrëdhëniet miqësore me atë vend ndërtohen në këtë mënyrë dhe kjo kontribuon në një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Nga ana tjetër, sjell dëme në marrëdhëniet me shtetet arabe – thotë Milosavljeviq.

Darko Trifunoviq nga Instituti për Studime të Sigurisë thotë se të luash me klubet izraelite është një rrezik i madh për sigurinë në Serbi.

– Celula terroriste të Hamasit ekzistojnë në Bosnje, gjegjësisht në Gorazhde, Sarajevë, Tuzla dhe Zenicë, ndërsa ende nuk e dimë kapacitetin e tyre në Serbi. Gjithashtu, Rusia është në anën e Iranit dhe Hamasit dhe ndikimi rus është shumë i fortë në Serbi. Ndikimi i tyre i përbashkët paraqet rrezik të madh – thotë Trifunoviq.

Ai shton se Serbia i ftoi klubet izraelite të performojnë në Beograd sepse kjo sjell fitim, por dyshon në aftësinë e shërbimeve serbe të sigurisë për të ruajtur sigurinë e tyre.

– Shërbimet tona të sigurisë nuk arritën t’i parandalojnë ngjarjet në Banjskë dhe kam frikë se nuk janë në gjendje të ofrojnë siguri për izraelitët në Beograd. Më vjen mirë që Serbia u ka ofruar skuadrave izraelite që të luajnë ndeshjet e tyre këtu, por shohim se ata po heqin dorë nga të luajturit në vendin tonë. Maccabi Haifa nuk do të luajë në Crvena Zvezda sepse për mendimin tim tifozët janë kundër. Ata janë të orientuar pro-ruse dhe jam i sigurt se e kanë penguar klubin izraelit të luajë në stadiumin e tyre – thotë Trifunoviq.

Një burim i Danas nga Ministria e Brendshme tha se performanca e sportistëve izraelitë është një rrezik i madh, por se “MPB-ja bëri një punë të shkëlqyer” në sigurimin e tyre. Ai shtoi se “një numër i madh njerëzish janë të angazhuar” në atë detyrë.

Në media ka dalë edhe një shpjegim i çuditshëm se në stadiumin “Rajko Mitiq” po ndërrohen poçet e reflektorëve, për çka javën e ardhshme do të jetë jashtë funksionit.

​Të kujtojmë se javë më parë Kosova luajti kundër Izraelit në “Fadil Vokrri” dhe siguria ishte në nivelin e duhur, duke treguar se institucionet e sigurisë së Kosovës janë të përgatitura në mënyrë profesionale edhe kur bëhet fjalë për siguri të atij niveli. /Ballkani.info/