Arbër Hoxha

Shënoi golin e titullit në Kroaci, sulmuesi Arbër Hoxha: Momenti më i madh i karrierës sime

Dinamo Zagrebi është shumë pranë titullit kampion në Kroaci dhe një meritë për këtë ka edhe Arbër Hoxha, i cili shënoi golin e fitores mbrëmjen e së dielës në përballjen direkte me Rijekën e vendit të dytë, e cila tashmë është katër pikë mbrapa.

Sulmuesi anësor mbërriti në janar në Zagreb për 1 milionë euro nga Slaven Belupo dhe ka shansin që të shpallet kampion që muajt e parë. Pas këtij goli shumë të rëndësishëm, për “HRT” Hoxha u shpreh:

“Sigurisht që jam i lumtur për golin dhe fitoren. Pjesa e parë nuk ishte e mirë nga ana jonë, por më pas ndryshuam formacionin dhe gjithçka dukej më mirë. U tronditëm nga penalltia, por arritëm të tregonim karakter pas kësaj. Ne e kthyem rezultatin. Shpresoj që ky gol i imi të jetë i denjë për titullin kampion. Me siguri ky është momenti më i madh i karrierës sime”, u shpreh Hoxha.