Shënohet ‘Dita Botërore e Metrologjisë”, me moton “Matjet për shëndetin”

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka shënuar Ditën Botërore të Metrologjisë me disa aktivitete.

Zyrtarët të Agjencisë së Metrologjisë kanë shpërndarë fletushka në sheshin kryesor të Prishtinës, duke i informuar qytetarët e Kosovës për rëndësinë e kësaj agjencie në zhvillimin dhe mbështetjen e afarizmit, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza, ka thënë se kjo është ditë e shënuar edhe në nivel botëror.  Ai ka theksuar se janë duke punuar në përmirësimin e legjislacionit, duke e harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian. Fejza potencoi se pajisjet laboratorike që i ka Agjencia e Metrologjisë së Kosovës janë të avancuar që përdoren edhe nga shtetet fqinje, duke shtuar se matjet janë të sakta dhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe rritjes së sigurisë së transaksioneve ekonomike.

Ndryshe 20 Maji shënon përvjetorin e nënshkrimit të konventës së metrit, dhe shënohet si “Dita Botërore e Metrologjisë”. Motoja e kësaj dite për vitin 2021 është “Matjet për shëndetin”.

Agjencia e Metrologjisë mbështet zhvillimin shkencor në vend duke siguruar referenca ndërkombëtare të etalonëve të matjes për komunitetin shkencor, industrial dhe mjekësor.