Shënjëzuan me ngjyrë të kuqe vendin në shesh nga ku pritet të protestojnë – policia ndaloi katër persona

Policia e Kosovës ka ndaluar katër persona pasi te njëjtit kanë thyer masat e Ministrisë së Shëndetësisë duke vënë shenja të kuqe në shesh, si parapërgatitje për protestat e paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se Albin Kurti largohet nga pozita e Kryeministrit të shkarkuar.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për media Bajram Krasniqi, i cili tha se kanë njoftuar edhe Inspektorët Sanitarë të komunës së Prishtinës.

“Sot, më 16.05.2020, në ora 10:40, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, patrulla policore ka ndaluar katër persona. Gjatë kontrollit të letërnjoftimeve, është parë se të njëjtin kishin dal pa përfillur kohën e daljes bazuar në vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Policia ka thirrur Inspektorët Sanitarë të komunës së Prishtinës që të dalin në shesh për të ndërmarrë veprime ligjore”, ka thënë Krasniqi.

Se këto protesta do të vazhdonin ishte paralajmëruar edhe katër ditë më parë kur disa aktivistë të shoqërisë civil u grumbulluan në sheshin “Skënderbeu” me rreth 500 persona, për të bërë  provë për protestë, derisa kanë paralajmëruar edhe prova të tjera ku do të marrin pjesë rreth 1500 persona.

Sipas organizatorëve, provat e protestës janë kryer në formë të kujdesshme e të kufizuar. Ky tubim vjen në kohën kur të gjitha institucionen e shëndetësisë apelojnë njerëzit që të mos mblidhen pa nevojë. Madje për këtë punë kanë vendosur edhe një rregullore me anë të së cilës mund të lëvizë lirshëm secili qytetar. Asnjëri nuk guxon të dalë në vende publike jashtë orarit që i lejohet në baze të numrit të parafundit të letërnjoftimit.

Por, për një tubim të tillë nuk ishte marrë leje nga Policia e Kosovës.

“Jo nuk kanë pas leje”, ka thënë Krasniqi.

Ndonëse, kjo protestë ishte përkrahur nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të qeverisë në detyrë, disa prej tyre edhe u munduan t’i mbronin duke thënë se kjo protestë nuk u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, kishte thënë se për të ashtuquajturën provë për protestë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendose ka verifikuar letërnjoftimet e pjesëmarrësve nuk kane qenë nga Vetëvendosja.

“Unë mund të them se ka pasur edhe skena në televizion, policia duke verifikuar numrin e parafundit. Policia ka verifikuar letërnjoftimet e qytetarëve në test protestë. Nuk ka qenë organizim i Lëvizjes Vetëvendosjes”, kishte deklaruar Sveçla.

Se kjo protestë ishte nismë e aktiviteteve të Vetëvvendosjes u pa edhe nga grupi ”meKryeministrin” në Facebook. Ata kishin publikuar foto dhe video nga sheshi “Skënderbeu” në kryeqytet, ku kanë shkruar se po bëjnë prova për protesta.