Itali

Shembja në klubin e natës në Ankona, humbin jetën 5 adoleshentë

Të paktën 6 persona humbën jetën në Ankona të Italisë, 5 prej të cilëve adoleshentë, ndërsa më tepër se 100 persona mbetën të plagosur, pas nëj incidenti të një klub nate.

Shembja e një vendkalimi në një klub nate në qytetin bregdetar, bëri që shumë njerëz të dilnin të alarmuar, ndërsa viktimat mësohet se u shtypën dhe shkelën nga turma.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe zëvendëskryeministri italian, njëkohësisht ministër i Brendshëm, Mateo Salvini.

“Salla kryesore kishte një kapacitet prej 469 personash dhe ata shiten 1.300 bileta”, tha Salvini para vizitës në vend.

“Ju nuk mund të vdisni në moshën 14-vjeçare në këtë mënyrë. Nuk keni nevojë për ligje të reja këtu. Ju duhet të keni një ndërgjegje dhe të respektoni ligjet ekzistuese”, tha ministri italian.

Në klubin e natës pritej të performonte reperi italian Sfera Ebbasta, por ngjarja tragjike bëri që të humbnin jetën 3 vajza, dy djem dhe një nënë që kishte shkuar të shoqëronte fëmijën e saj.

Autoritetet thanë se të plagosurit janë më shumë se 100, 15 prej të cilëve në gjendje vërtetë shqetësuese, ndërsa vijon hetimi për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.