Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për një hapje të re të rrugës që e lidh këtë qytet me pjesën panoramike të bjeshkëve.

“Bjeshkët tona nuk janë vetëm pasuri natyrore, por edhe potencial i madh turistik që mezi pret të shpërthejë. Prandaj, nuk po ndalemi! Në bashkëpunim me ekipin e punës dhe me mbështetjen e qytetarëve, kemi nisur ndërhyrjet konkrete për përmirësimin e infrastrukturës në bjeshkë me synim lehtësimin e qasjes dhe promovimin e turizmit malor”, ka shkruar ai.

Sipas tij, rruga e re nuk do të shërbejë vetëm si lidhje më e mirë me këtë perlë natyrore, por edhe si shtysë për zhvillimin e agroturizmit, nxitjen e investimeve lokale dhe krijimin e përvojave të veçanta për vizitorët që duan të përjetojnë Junikun e vërtetë!

“Në vend të premtimeve me letra, po flasim me mjete të rënda, duar të ndershme pune dhe vizion të qartë për një Junik më të zhvilluar. Disa po mundohen me e bind veten se “herën e kaluar u penguan”, tjerë po vijnë me premtime si ato bukët që fryhen por s’kanë brumë. Por qytetari di të vlerësoi se kush çfarë ka punuar. Kush nuk e bëri kur pati rastin, nuk do ta bëjë as tash që ka nevojë.

Ne e kemi dëshmuar me punë, jo me fjalë. Ne e kemi mbajtë fjalën, jo vetëm foltoren. Ne nuk shkojmë n’bjeshkë për vota, por për investime”, shkruar Shehu.