Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, mori pjesë mbrëmë në një takim të organizuar nga nëndega “Chable” e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Zvicër, ku u mblodhën dhjetëra anëtarë dhe aktivistë të kësaj strukture. Në tubim ishte e pranishme edhe Shoqata Humanitare “Medvegja”, si dhe një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh nga Juniku.
Në këtë takim mori pjesë edhe kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës, Fadil Geci, ndërsa tubimin e udhëhoqi anëtari i kryesisë së nëndegës, Mustaf Ramosaj. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe dy autorët e monografisë së Junikut, Dr. Islam Shehu dhe Zeqë Gaxherri.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Shehu falënderoi mërgatën për përkrahjen e vazhdueshme në zgjedhjet e fundit lokale, si dhe për kontributin e tyre të palëkundur për Kosovën në çdo etapë – para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Ai theksoi rëndësinë e veçantë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të ardhmen e LDK-së dhe të Kosovës.
Në takim u prezantua programi dhe vizioni politik i LDK-së, ndërsa Shehu rikujtoi afatin e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora, i cili përfundon sonte në orën 00:00. Ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve që kanë mundësi të udhëtojnë për festat e fundvitit dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kryetari Shehu njoftoi se takimi i radhës do të mbahet nesër në Basel, ku pritet pjesëmarrje po aq e gjerë.
“Faleminderit për pjesëmarrjen kaq të madhe dhe për mbështetjen që gjithmonë ia jepni Junikut dhe Kosovës”, u shpreh Shehu.







