Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se Besart Tofaj, nënkryetar aktual i Komunës dhe ish kandidat i VV’së në zgjedhjet e kaluara i është bashkuar LDK’së.

“Besarti është një prurje e fuqishme dhe me shumë potencial për LDK-në, dhe do të jetë një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e politikave zhvillimore dhe qeverisëse në Komunën tonë”, ka shkruar Shehu.

Postimi i plotë:

🟦 Njoftim për qytetarët e Komunës së Junikut
📌 Aderim i ri në radhët e LDK-së – Dega në Junik

Të nderuar qytetarë,

Me kënaqësi ju njoftoj se z. Besart Tofaj, Nënkryetar i Komunës së Junikut dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt në qeverisjen tonë lokale, ka vendosur që nga sot t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Junik.

Z. Tofaj ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në zgjedhjet e kaluara dhe, gjatë katër viteve të bashkëqeverisjes, ka dëshmuar përkushtim, integritet dhe profesionalizëm të lartë në funksionin e tij si Nënkryetar. Aderimi i tij në LDK është dëshmi e qartë e përputhjes së vlerave, vizionit dhe angazhimit të përbashkët për një Junik më të zhvilluar dhe më të drejtë.

Besarti është një prurje e fuqishme dhe me shumë potencial për LDK-në, dhe do të jetë një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e politikave zhvillimore dhe qeverisëse në Komunën tonë.

🗣️ Në këtë frymë bashkëpunimi, ftojmë edhe përfaqësues të tjerë nga subjektet e ndryshme politike që ndajnë vizionin për një Junik më të mirë, që t’i bashkohen projektit tonë politik dhe qeverisës – sepse LDK – Dega në Junik përfaqëson sot shpresën e vetme reale për një të ardhme më të mirë për komunën tonë.

R.Sh